Aktiviteti Lancues i AIEN edicioni II 2020-2021

Më datë 30 tetor 2020, Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian organizoi Aktivitetin Prezantues të edicionit të dytë të AIEN 2020-2021,në ambjentet e Xheko Imperial.

Fjala e mirëseardhjes u mbajt nga znj. Mona Xhexhaj, Drejtore Ekzekutive e AIEN e cila foli për misionin e Akademisë për 2020-2021, objektivat specifike, risitë që sjell kjo iniciativë në kuadër të integrimi të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërsa Shqipëria po përgatitet të hapë Negociatat me Bashkimin Europian, nevoja për informacion të thelluar dhe përgatitjen e grupeve të prekura drejtpërdrejt nga ky proces por rritet. Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave synon të përmbushë këtë qëllim përmes edukimit, trajnimit dhe aktiviteteve me fokus forcim kapacitesh duke synuar e targetuar  përfaqësues të sektorëve të ndryshëm dhe profesionistë të rinj të përfshirë dhe të prekur nga reformat dhe procesi i Integrimit Europian të Shqipërisë. Znj. Xhexhaj theksoi se gjatë kohëzgjatjes së saj një vjeçare, Akademia 2020-2021 do të ofrojë një seri Modulesh që kombinojnë qasjen teorike me raste studimore praktike që adresojnë çështjet më aktuale dhe me rëndësi lidhur me Integrimin Evropian të Shqipërisë, dhe të rajonit po ashtu. Modulet kanë në fokus trajtimin më të detajuar të Kapitujve të Aderimit në BE të tillë, si lëvizja e lirë e punëtorëve, shërbimeve dhe mallrave, politikat e punësimit, reforma gjyqësore, siguria ushqimore, sfidat mjedisore dhe të energjisë, etj. Këtë vit, AIEN do të mirëpresë 55 profesionistë, që vijnë nga administrata publike, organizata joqeveritare, think tank dhe akademia, shoqata e biznesit, organizata ndërkombëtare dhe media; dhe lektorë shqiptarë dhe të huaj.  

Në pjesën e dytë të fjalës së saj, znj. Xhexhaj ndau me pjesëmarrësit dhe një prezantim të Aspekteve teknike të funksionimit të Akademisë për  mënyrën e organizimit të Moduleve dhe Sesioneve, po ashtu dhe ndarjen e pjesëmarrësve sipas sektorëve. Një pasqyrë e përgjithshme e temave që do të trajtojë secili Modul u bë në këtë sesion. Një hapësirë e veçantë iu kushtua dhe ndikimit të situatës Covid-19 në organizimin e Akademisë. Në fund të fjalës së saj znj. Xhexhaj përmendi mundësitë e tjera të angazhimit dhe bashkëpunimit me dhe mes pjesëmarrësve dhe AIEN Alumni që mund të nxiten prej këtij projekti. 

I ftuar për të folur mbi rolin e aktorëve të shoqërisë civile dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ishte Z. Ramadan Sopoti nga Partnerët në Shqipëri.  Z. Sopoti prezantoi studimin e realizuar nga Partners Albania, partnerë të projektit AIEN 2020-2021, i cili fokusohet në një vlerësim të dyanshëm të kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe gatishmërisë së institucioneve për përfshirjen e tyre në këtë proces. Studimi synonte a) Identifikimin e nevojave kryesore të shoqërisë civile(organizata të shoqërisë civile, media, biznese) për të kontribuar në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE; b)Vlerësimi i procedurave dhe mekanizmave ekzistuese për përfshirjen e shoqërisë civile në këtë process; c) Ofrimi i rekomandimeve për përmirësimn e ndërveprimit dhe bashkëpunimit midis shoqërisë civile dhe strukturave shtetërore në procesin e Integrimit Europian. Disa nga rekomandimet e drejtuara institucioneve shtetërore janë : a)sigurimi i realizimit të konsultimeve të rregullta dhe në kohë të institucioneve publike me OSHC-të; strukturat drejtuese të bisedimeve duhet t’i shprehin qartë OShC-ve se çfarë të dhënash dhe çfarë lloj analize u nevojitet; Dokumentet dhe informacionet përkatëse gjatë procesit të negociatave duhet të vihen në dispozicion të publikut; Krijimi i një hapësirë zyrtare online kushtuar procesit të pranimit të Shqipërisë në BE; Krijimi i një mjedisi mbështetës për qëndrueshmërinë e OSHC-ve.

Sesioni i fundit i këtij aktiviteti iu kushtua ndarjes së eksperiencave të Alumni AIEN, edicioni I. U diskutua mbi përfitimet nga rrjeti AIEN në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dhe rrjetëzimit mes pjesëmarrësve nga fusha dhe sektorë të ndryëshëm dhe për projektet e zbatuara nga bashkëpunimi Alumni-AIEN.  Znj.Elda Zotaj, e cila vjen nga sektori akademik ndau eksperiencën e saj duke u fokusuar tek puna e saj hulumtuese për tematikën e edukimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe vlerësimin e përvojave dhe performancës së tyre në programet e implementuara në kuadër të këtij bashkëpunimi. Më pas me anë të një video mesazhi, Znj.Gentiola Madhi, me eksperiencë në think tanks dhe NGO përshëndeti grupin dhe i motivoi për sjelljen e ideve të ndryshmë që mund të konkretizohen në bashkëpunim me AIEN. Më specifikisht, ajo diskutoi për projektin ku ajo është angazhuar dhe ka bashkëpunuar me AIEN mbi kapërcimin e të kaluarës dhe për praktikat e mësimet e nxjerra nga Visegradi dhe Ballkani Perëndimor. Ndërsa z. Rodon Miraj, i cili vjen nga administrata publike ndau përfshirjen e tij në një projekt në bashkëpunim më organizatën AIEN, si një eksperiencë të rëndësishmë për të kuptuar perceptimin në nivel lokal të politikave me të cilat ai merrej në përdishmëri në nivel qendror. Ai ndau shkurtimisht informacione mbi projektin e ndërgjëgjësimit të të rinjve për çështjet e ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, realizuar nga AIEN në bashkëpunim me dy organizata të Malit të Zi dhe Kosovës.