Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka mbajtur Konferencën “Përgatitja për Negociata: Nevoja për Kapacitete”, më datë 8 korrik 2021 në ambientet e Hotel Rogner. Kjo Konferencë përmbylli punën një vjeçare të Akademisë 2020-2021 (Edicioni II) dhe përfaqësoi fillimin e punës për Edicionin III të AIEN 2021-2022, duke mbledhur mbi 100 profesionistë dhe ekspertë nga administrata publike, organizata joqeveritare, think tank dhe akademia, shoqata të biznesit, organizata ndërkombëtare dhe media.
Gjatë fjalës hapëse, Mona Xhexhaj, Drejtore Ekzekutive e Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, vendosi theksin në misionin dhe rolin e AIEN përmes edukimit, trajnimit dhe aktiviteteve me fokus forcim kapacitesh duke synuar e targetuar përfaqësues dhe profesionistë të sektorëve të ndryshëm të përfshirë dhe të prekur nga reformat dhe procesi i Integrimit Europian të Shqipërisë. Gjatë kohëzgjatjes së saj një vjeçare, Akademia 2020-2021, me mbështetjen e fondeve IPA 2015, ka ofruar 12 Module me fokus trajtimin e detajuar të Kapitujve të Aderimit në BE të tillë, si lëvizja e lirë e punëtorëve, shërbimeve dhe mallrave, politikat e punësimit, reforma gjyqësore, siguria ushqimore, sfidat mjedisore dhe të energjisë, politikat rajonale dhe koordinimin e fondeve strukturore, etj. Këtë vit, AIEN ka trajnuar 47 profesionistë, nga administrata publike, organizata joqeveritare, think tank dhe akademia, shoqata e biznesit, organizata ndërkombëtare dhe media; dhe ka mirëpritur mbi 40 lektorë shqiptarë dhe të huaj që kanë ofruar ekspertizën e tyre. Kurse Akademia 2021-2022 (Edicioni III), me mbështetjen e fondeve të KE, Programi Erasmus +, do të trajnojë 60 pjesëmarrës gjatë periudhës (Shtator 2021 - Qershor 2022).
Në Panelin Rajonal gjatë Konferencës “Përgatitja për Negociata: Nevoja për Kapacitete”, folësit nga Ballkani Perëndimor ndanë përvojat e tyre dhe praktikat më të mira nga Mali i Zi dhe Serbia gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit në BE. Aleksandar Andrija Pejović , Ish – Kryenegociatori për Negociatat mbi pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Europian, foli për statusin e negociatave e Malit të Zi, rëndësinë që mbartin Kapitulli 23 dhe 24 i EU Acquis dhe ndikimin që do të ketë Metodologjia e re e Komisionit Europian. Gjatë diskutimit Z. Pejović ndau dhe raste me interes nga negociatat Mali i Zi - BE kur ishte i përfshirë në mënyrë direkte për 7 vite si Kryenegociator. Nataša Dragojlović, Koordinatore e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian në Serbi, foli për rolin e Konventës Kombëtare si një mekanizëm aktiv dhe ndikues gjatë negociatave Serbi-BE, duke sjellë ekspertizën dhe zërin kritik e analitik të aktorëve jo shtetërorë. Përsa i përket Shqipërisë, Juliana Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, njëkohësisht partnere e projektit të AIEN foli për modelin shqiptar të Platformës së Partneritetit, ku aktorët e shoqërisë civile nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në negociata, por roli i tyre mbetet konsultativ. Znj. Hoxha vuri theksin në proceset konsultuese në Shqipëri, problematikat që qëndrojnë në administratën publike për informimin dhe përfshirjen e vazhdueshme të aktorëve jo shtetërorë. Nga të tre folësit u evidentuan si sfida politizimi dhe mungesa e kapaciteteve të administratës publike, fenomeni në rritje i rrjedhjes së trurit të vendit, duke përmendur si kyç vullnetin politik dhe bashkëpunimin me aktorët jo shtetërorë gjatë procesit të aderimit. Paneli u moderua nga Kryeredaktori i European Western Balkans, Nikola Burazer dhe u shoqërua me ndërhyrje dhe diskutime nga pjesëmarrësit dhe të ftuarit.
Pas Ceremonisë së Certifikatave për 47 pjesëmarësit e Akademisë AIEN 2020- 2021, disa nga Alumni AIEN Edicioni II, ndanë eksperiencën e tyre mbi përfitimet që kanë pasur nga rrjeti AIEN si dhe projektet e zbatuara nga bashkëpunimi Alumni – Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave. Në mbyllje të Konferencës, një sesion i veçantë iu kushtua pjesëmarrësve të rinj të Akademisë AIEN. Mona Xhexhaj bëri prezantimin e AIEN Edicioni III, ku foli mbi organizimin e moduleve dhe sesioneve që do të mbahen në lidhje me Kapitujt e EU Acquis, po ashtu përmendi risitë AIEN app, AIEN blog dhe Podcast si mundësi informimi, përfshirjeje dhe bashkëpunimi të vazhdueshëm mes pjesëmarrësve dhe lektorëve. U mundësua gjithashtu prezantimi individual dhe njohja me njëri- tjetrin e pjesëmarrësve të rinj për Edicionin III të AIEN që do të mbahet në periudhën shtator 2021- qershor 2022.