Moduli I i AIEN Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe Shqipëria

Hapja e Modulit I u prezantoi nga Z. Sokol Dedja, Zv. Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, i ftuar për të folur për sfidat e rrugëtimit europian të Shqipërisë. Fillimisht, Z.Dedja trajtoi procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, traktatet dhe kriteret e anëtarësimit, si dhe në rend kronologjik të gjitha hapat dhe ecuria e procesit së integrimit të Shqipërisë. Z. Dedja u ndal më së shumti për të ndarë këndvështrimin e tij mbi Metodologjinë e re të Zgjerimit, për kushtet e vendosura për Shqipërinë, risitë e sfidat e Metodologjisë, si dhe komunikimin nga ana e institucioneve europiane. Z.Dedja ndau me pjesëmarrësit punën paraprakë të institucioneve shqiptare me takimet shpjeguese mbi legjislacionin europian  dhe pritshmëritë për kuadrin negociues dhe Konferencën  e I Ndërqeveritare. U fol gjithashtu edhe për Instrumentin e Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA II), fushat e ndërhyrjes dhe planin IPA III.

Në ditën e dytë të modulit, të zhvilluar të shtunën më 31 tetor, sesioni i dytë u prezantua nga Znj. Odeta Barbullushi, Këshilltare e Kryeministrit dhe Koordinatore Kombëtare për Zonën Ekonomike Rajonale. Ajo diskutoi çështjen e Zonës Ekonomike Rajonale (REA), pas Samitit të Triestes duke u fokusuar tek sfidat dhe arritjet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të lëvizjës së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit, punës së kualifikuar, investimeve dhe tregtisë. Ajo gjithashtu u fokusua tek veçoritë e bashkëpunimit rajonal të Ballaknit Perëndimor ku gjithashtu përmendi të gjitha instrumentat dhe institucionet e ngritura në funksion të këtij procesi. Znj. Barbullushi ndau me pjesëmarrësit Planin e REA 2 për periudhën 2021-2024, duke theksuar investimin e nevojshëm si politik dhe financiar.

Dr. Aida Bushati, Eksperte Ligjore lektoi Sesionin e tretë, me fokus Politikën e  Zgjerimit  të Bashkimit Europian. Znj Bushati foli për rëndësinë e këtij zgjerimi, kriteret dhe instrumentat e domosdoshme. Ajo gjithashtu u fokusua dhe tek roli i  insitucioneve te BE në kuadër të Politikës së Zgjerimit, duke i vendosur theksin në kontekstin ligjor dhe instrumentet e domosdoshme ligjore, jo vetëm vullnetin politik. Gjatë prezantimit të Znj.Aida pati mjaft diskutime dhe ndërveprim me pjesëmarrësit sa i përket skepticizmit të shumë shteteve anëtare për Zgjerimin.

Sesioni vijues u trajtua nga Znj. Blerina Raça, menaxhere projekti në Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), ku fokusi kryesor ishin detyrimet e Shqipërisë gjatë procesit të integrimit europian. Znj.Raça shpjegoi më në detaj hapat e procesit të integrimit, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit  dhe më pas  prioritetet e secilit kriter të Kopenhagenit. Ajo gjithashtu u fokusua tek instrumentet e BE dhe menaxhimin e tyre, dokumentat strategjikë dhe planet. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu kuadrit të ri negociues të propozuar  nga Komisioni si dhe strukturës të re të negociatave të ngritur në Shqipëri. Znj.Raça analizoi gjithashtu të gjitha mangësitë e konstatuara në kuadrin ligjor, institucional dhe administrativ.

Sesioni i fundit u mbulua nga Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA). Ai vuri theksin në përfshirjen e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në procesin e integrimit. Z Gjipali trajtoi kuadrin ligjor dhe ndryshimet e fundit përsa i përket mekanizmave dhe iniciativave përfshirëse e konsultuese. Ai gjithashtu ofroi shembuj nga rajoni i Ballkanit, si nga Mali i Zi e Serbia për të dhënë një panoramë më të qartë të avantazheve dhe problematikave që përfaqëson secili format përfshirës apo konsultues i aktorëve të tjerë në këtë  proces.