Moduli I, Edicioni III: “Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe Integrimi i Shqipërisë drejt BE”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 15 dhe 16 tetor, në ambjentet e Hotel Mondial, u zhvillua Moduli i parë i Edicionit III: “Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe Integrimi i Shqipërisë drejt BE”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus+, Jean Monnet.

Hapja e Modulit I u prezantua nga Z. Florent Marciacq, Zv. Sekretar i Përgjithshëm, Austro-French Center for Rapprochement in Europe, i cili trajtoi zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Fillimisht Z. Marciaq foli për transformimin e procesit të zgjerimit dhe në veçanti për zgjatjen e këtij procesi duke shtuar kriteret dhe duke e bërë procesin të paparashikueshëm. Z. Marciaq po ashtu u ndal te metodologjia e re e zgjerimit edhe pse ky reformim është bërë disa herë përgjatë kësaj dekade.

Sesioni i dytë u mbajt nga Znj. Aida Bushati, eksperte ligjore. Fillimisht, Znj. Bushati u ndal te historiku i pranimit të vendeve anëtare të BE-së duke i ndarë në dy tipologji zgjerimi, ato para rënies së murit të Berlinit dhe ato pas rënies së tij. Më tej ajo shpjegoi funksionet kryesore të institucioneve të BE-së. Znj. Bushati u ndal te hapat e procesit të zgjerimit, duke krahasuar zgjatjen e procesit për shtete të ndryshme. Gjatë prezantimit të saj ajo u ndal te historiku i rishikimit konstant të metodologjisë ku theksoi dhe elementet e metodologjisë aktuale. Në përfundim të prezantimit ajo përmendi sfidat e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në lidhje me zgjerimin.

Në ditën e dytë të Modulit I, të zhvilluar ditën e shtunë më 16 tetor, sesioni III u moderua nga Blerina Raça, Menaxhere Projekti pranë GIZ. Së pari, Znj. Raça foli për historikun e hapave të Shqipërisë drejt qëllimit final, anëtëarsimit. Më pas ajo u ndal gjatë në shpjegimin e procesit të negociatave, ku përmendi fazat e procesit, strukturat për menaxhimin e procesit dhe aspekte teknike te procesit të negociatave.

Sesioni IV u moderua nga Znj. Blerina Raça dhe Znj. Aida Bushati. Ky, një sesion interaktiv ku pjesëmarrësit morën rolet e delegacioneve të BE-së dhe Shqipërisë gjatë një simulimi të një tryeze negociatash.

Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), mbuloi sesionin e pestë të Modulit I. Ai vuri theksin në përfshirjen e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në procesin e integrimit. Ai ofroi shembuj nga rajoni i Ballkanit, si nga Mali i Zi, Serbia e Kroacia për të dhënë një panoramë më të qartë të avantazheve dhe problematikave që përfaqëson secili format përfshirës apo konsultues i aktorëve të tjerë në këtë  proces. Z. Gjipali gjithashtu foli dhe për përbërjen e strukurave negociatore për Shqipërinë.

Sesioni i fundit u mbulua nga Znj. Marije Cornelissen, ish-Anëtare e Parlamentit Europian. Ajo foli rreth mënyrës se lobimit në nivel europian. Znj. Marije shpjegoi institucionet ligjvënëse të BE-së dhe strukturat lobuese pranë tyre, si institucionet kyç influencuese.