Sesioni i parë i Modulit të Dytë të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, i mbajtur me datë 20 nëntor 2020, trajtoi kuadrin ligjor dhe institucional në fushën e konkurrencës në Shqipëri dhe u prezantua nga Znj. Daniela Mehmeti (Laze), nga Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës. Znj.Laze e hapi ligjërimin e saj me ligjin e ndryshuar për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Ajo foli për institucionin e Autoritetit të Konkurrencës, strukturën dhe qëllimin. Prezantimi u thellua në tre shtyllat e ligjit, marrëveshjet e ndaluara, abuzimni me pozitën dominuese dhe kontrollin e ndërmarrjeve të përqendruara. Po ashtu Znj. Laze u ndal në saksionet respektive për secilën shkelje.
Në sesionin e dytë të Modulit mbi Konkurrencën dhe Ndihmën Shtetërore u diskutua mbi marrëveshjet që shtrembërojnë tregun dhe konkurrencën e lirë. Ky sesion u prezantua nga Prof.Fjoralba Caka, lektore pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në këtë sesion u trajtuan gjerësisht edhe aspektet ligjore të marrëveshjeve të ndaluara duke sjellë dhe shembuj konkret nga Bashkimi Europian dhe praktikat që janë përdorur për tu dhënë zgjidhje rasteve specifike. Pyetjeve të tilla se çfarë quajmë një marrëveshje, cilat janë marrëveshjet e ndaluara apo objektet e tyre, Prof. Caka u dha përgjigje në analogji me nenin 101 të Traktatit të Funksionimit të Bashkimit Europian. Përpos të gjithë informacionit rreth legjislacionit, ndërmarrjeve dhe praktikave të BE-së, Prof. Caka i dha rëndësi edhe diskutimit rreth efektit që kanë në treg të gjitha këto praktika të padrejta të cilat prekin jo vetëm konkurrencën por edhe tregtinë ndërkufitare.
Sesioni i tretë i Modulit mbi Konkurrencën dhe Ndihmën Shtetërore u zhvillua ditën e shtunë, 21 nëntor. Ky sesion u prezantua nga Prof.Conor Quigley nga Universiteti i Oksfordit, në një lidhje direkte nëpermjet platformës Zoom. Prof.Quigley trajtoi Ligjet dhe Politikat e Ndihmës Shtetërore në Bashkimin Europian. Ai shpjegoi në fillim se çfarë është ndihma shtetërore, sa e rëndësishme është ajo dhe pse, duke përmendur raste kur ndihma shtëtërore është e lejueshme dhe kur ajo është e ndaluar, si psh: “Ndihma mund të lejohet nga Komisioni Europian në rastet e mbrojtjes së mjedisit, investimeve rajonale apo në rastet kur është bërë kërkesë për miratim paraprak nga Komisioni Europian. Por ndihmat shtetërore që zbatohen pa aprovim konsiderohen të paligjshme”. Prof.Conor u ndal gjatë te taksimet dhe praktika të rasteve gjyqësore po ashtu edhe shembuj ilustrues nga kompanitë McDonalds, Apple, Starbucks, Fiat etj.
Sesioni i katërt i Modulit të Dytë u prezantua nga Z.Armando Bode, Ekspert Ligjor. Z.Bode trajtoi aspekte të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore duke ofruar shembuj konkret nga sektori i energjisë elektrike në Shqipëri. Ai shpjegoi kuadrin ligjor dhe rregullator duke përmendur traktatet kryesore në fushën e energjisë dhe autoritetet kryesore rregullatore. Ai trajtoi liberalizimin e tregut dhe nevojën për të pasur operatorë të ndryshëm për funksione të ndryshme si për shembull prodhimin, shpërndarjen dhe transmetimin e energjisë elektrike. Z. Bode trajtoi edhe dy kazuse që kishin si qëllim debatin kontruktiv dhe ide të reja në lidhje me çështjet që ato trajtonin, problematiket dhe pikëpyetjet që ngrinin. Po ashtu u fol edhe për energjinë e rinovueshme dhe të gjithë përfitimet prej saj. Përgjatë prezantimit Z.Bode trajtoi me shumë kujdes ndihmën shtetërore, rastet kur një ndihmë konsiderohet shtetërore dhe kur jo. Gjatë prezantimit të rasteve pati mjaft diskutime dhe ndërhyrje nga pjesëmarrësit, ku ndër to ishte dhe diskutimi në lidhje me KESH dhe OSHEE, sa i përket rrugës sesi kalon ernergjia derisa vjen si shërbim te konsumatori, nga ana teknike dhe ligjore. Po ashtu pati ndërhyrje nga pjesëmarrësit rreth shit-blerjes së energjisë nga shoqëritë publike.
Në sesionin e pestë të Modulit II, të mbajtur nga Prof.Fjoralba Caka u trajtuan fillimisht kategoritë e ndihmës shtetërore. Pas shpjegimit së konceptit të ndihmës shtetërore dhe fillesave të implementimit në Shqipëri me firmosjen e MSA-së, Prof.Caka u ndal edhe në interpretimet që i janë bërë këtij nocioni në BE. Në këtë sesion po ashtu u paraqit hartëzimi i zonave ku është dhënë kjo ndihmë. Ndër diskutimet më me interes të këtij sesioni ishin rreth rasteve praktike mbi pavarësinë e institucioneve përgjegjëse për ndihmën shtetërore. Zonat e lira ekonomike ishin po ashtu pike diskutimi e këtij sesioni së bashku me raste praktike nga kompanitë mëmë-bijë.
Në fund të Modulit II, në sesionin e gjashtë Znj.Daniela Mehmeti (Laze) u ndal tek llojet e përqëndrimeve: bashkimi me përthithje, me krijim, ndarje me krijim dhe me perthithje. Më pas zonja Laze, paraqiti një rast hipotetik, ku I drejtoi pjesëmarrësve ushtrime dhe pyetje lidhur me kompetencën e fillimit të procedimit, me zbatimin e ligjit të konkurrencës në sektorin financiar, paketën kontrolluese të kompanisë në rastin e paraqitur, njoftimin e autoritetit të konkurrencës për marrjen e autorizimit, transaksionet,si edhe vendimet e autoritetit të konkurrencës dhe mbi sanksionet e mundshme.