Moduli II, Edicioni III: “Lëvizja e Lirë e Mallrave & E Drejta e Vendosjes dhe Liria për të ofruar Shërbime”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 18 dhe 19 nëntor, në ambjentet e Hotel Mondial, u zhvillua Moduli i dytë: “Lëvizja e Lirë e Mallrave & E Drejta e Vendosjes dhe Liria për të ofruar Shërbime”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus, Jean Monnet.

Sesioni i parë ditën e premte, u prezantua nga Z.Endri Papajorgji, Dekan i Fakultetit Juridik, Universiteti i Biznesit në Tiranë. Në këtë sesion Z.Papajorgji prezantoi Liritë Themelore të Traktatit të BE-së, duke u ndalur te tiparet e përbashkëta dhe funksionet e tij. Ai gjithashtu, solli shëmbuj konkretë të çeshtjeve gjyqësore të GjED-së dhe si këto çështje janë përkthyer në ligje dhe rregullore.

Në sesionin e dytë, Z.Papajorgji u përqëndrua në dimensionin ligjor sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave dhe lirisë për të ofruar shërbime. U diskutua rreth pasojave ligjore të shkeljes së lirive themelore, liria e ofruesve dhe blerësve. Një pikë e rëndësishme diskutimi ishte edhe ndalimi i konkurrencës së pandershme. Prezantimi i Z.Papajorgji u ndoq me shumë interes falë shembujve të shumtë me të cilët shoqëroi të gjithë informacionin e sjellë.

Sesioni i tretë, u zhvillua ditën e shtunë nga Znj.Alma Bilali, Këshilltare pranë GIZ. Fokusi kryesor ishte në lëvizjen e lirë të mallrave në MSA dhe detyrimet e Shqipërisë. Znj.Bilali e filloi prezantimin e saj duke u kthyer pak në kontekstin historik për të trajtuar Traktatet kryesore duke dhënë kështu një panoramë më të qartë të zhvillimeve. Znj.Bilali trajtoi me kujdes parimet dhe kërkesat e secilës fushë, si garantohet siguria e produkteve, cilësia dhe çfarë ndodh me produktet që nuk janë të rregulluara në nivelin e BE-së. Për të sjellë një informacion sa më të qartë, Znj.Bilali e shoqëroi atë edhe me kazuse dhe raste nga GJED. Në pjesën e dytë të prezantimit, ajo foli për rastin e Shqipërisë, detyrimet në procesin e integrimit, duke filluar që nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, me harmonizimin e legjislacionit, fuqizimin e institucioneve të infrastrukturës së cilësisë dhe heqjen e kufizimeve sasiore të tregtimit të mallrave të importit nga vendet e BE-së.

Sesioni i katërt i Modulit mbi Lëvizjen e Lirë të Mallrave dhe Shërbimeve u prezantua nga Z.Julian Llupo, Drejtor i Drejtorisë së Sigurisë së Produkteve, Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Z.Llupo trajtoi problematikat dhe sfidat në mbikëqyrjen e tregut në Shqipëri. Z.Llupo u kujdes të cilësonte kategoritë e produkteve dhe institucionet nga të cilat kontrollohen ato. Po ashtu, ai shpjegoi edhe se si funksionon inspektimi online, si funksionon portali dhe çfarë bëjnë konkretisht inspektorët në çdo fazë të inspektimit. Prezantimi i këtij sesioni u shoqërua me diskutime dhe pyetje nga pjesëmarrësit, duke rritur interesin për njohjen më mirë si të legjislacionit por edhe identifikimin e produkteve të dëmshme e të rrezikshme për konsumatorin.

Sesioni i pestë u prezantua nga Z. Kostantinos Tomaras, ekspertë i lartë pranë Komisionit Europian. Ai trajtoi profesionet e rregulluara.

Sesioni i gjashtë u lektua nga Z.Dušan Protić, Menaxher i Programit për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrueshmërinë, CEP. Ai trajtoi negociatat e pranimit të Serbisë në BE, duke sjellë praktikat më të mira rreth negocimit të Kapitullit 3. Gjatë sesionit ai shpjegoi harmonizimin me direktivën e shërbimeve të BE-së dhe njohjen reciproke të kualifikimit profesional. Ai ju përgjigj pyetjeve të pjesëmarrësve, ndër to ishte këshilla për institucionet shqiptare për të përfshirë organizatat e shoqërisë civile në draftimin e legjislacionit. Z.Protić u shpreh pozitiv për përfshirjen e aktorëve dhe një diskutimi të gjerë. Ai pohoi se të ndash një pjesë të pronësisë së produktit final e bën atë më cilësor.

Sesioni i shtatë dhe i fundit u prezantua nga Znj. Evis Kopliku, Eksperte pranë Regional Cooperation Council. Ajo trajtoi planin e veprimit 2021-2024 për tregun e përbashkët rajonal. Znj.Kopliku foli për fushat kryesore të tregtisë rajonale, risitë dhe lehtësirat në komunikim midis vendeve të rajonit dhe industrializimin e rajonit sipas standarteve europiane. Gjatë prezantimit të saj ajo vuri theksin te prioritizimi rajonal i lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve dhe te pengesat kryesore për tregtinë, të identifikuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor.