Moduli III AIEN: Lëvizja e Lirë E Mallrave dhe e Drejta e Vendosjes dhe Liria për të Ofruar Mallra dhe Shërbime

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave,  ditën e premte dhe të shtunë, në datat 18 dhe 19 dhjetor, në amjentet e Hotel Mondial, u zhvillua Moduli i tretë: “Lëvizja e Lirë e Mallrave & E Drejta e Vendosjes dhe Liria për të ofruar Shërbime”.

Sesioni i parë u prezantua ditën e premte nga Dr.Endri Papajorgji, Dekan i Fakultetit Juridik, Universiteti i Biznesit në Tiranë. Në këtë sesion Z.Papajorgji prezantoi Liritë Themelore të Traktatit të BE-së, duke u ndalur te tiparet e përbashkëta dhe funksionet e tij. Z.Papajorgji foli edhe për pasojat ligjore për shkeljen e lirive themelore në kuadër të Traktatit të Bashkimit Europian, duke sjellë si shembull edhe kazuse. Prezantimi vijoi me lëvizjen e lirë të mallrave dhe me parimet themelore të së drejtës europiane private. Z.Papajorgji shoqëroi me kazuse çdo rregull apo ligj specifik duke i bërë kështu edhe më lehtësisht për tu kuptuar nga pjesëmarrësit.

Në sesionin e dytë, Z.Papajorgji u përqëndrua në dimensionin ligjor sa i përket lëvizjes së lirë të mallrave dhe lirisë për të ofruar shërbime. U diskutua rreth pasojave ligjore të shkeljes së lirive themelore, liria e ofruesve dhe blerësve. Një pikë e rëndësishme diskutimi ishte edhe ndalimi i konkurrencës së pandershme. Prezantimi i Z.Papajorgji u ndoq me shumë interes falë shembujve të shumtë me të cilat shoqëroi të gjithë informacionin e sjellë.

Sesioni i tretë, u zhvillua ditën e shtunë nga Znj.Alma Bilali, Këshilltare GIZ. Fokusi kryesor ishte në lëvizjen e lirë të mallrave në MSA dhe detyrimet e Shqipërisë. Znj.Alma e filloi prezantimin e saj duke u kthyer pak në kontekstin historik për të trajtuar Traktatet kryesore duke dhënë kështu një panoramë më të qartë të zhvillimeve. Znj.Alma trajtoi me kujdes parimet dhe kërkesat e secilës fushë, si garantohet siguria e produkteve, cilësia dhe çfarë ndodh me produktet që nuk janë të rregulluara në nivelin e BE-së? Për të sjellë një informacion sa më të qartë, Znj.Alma e shoqëroi atë edhe me kazuse dhe raste nga GJED. Në pjesën e dytë të prezantimit, ajo foli për rastin e Shqipërisë, detyrimet në procesin e integrimit, duke filluar që nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, me harmonizimin e legjislacionit, fuqizimin e institucioneve të infrastrukturës së cilësisë, heqjen e kufizimeve sasiore të tregtimit të mallrave të importit nga vendet e BE-së, etj.

Sesioni i katërt i Modulit mbi Lëvizjen e Lirë të Mallrave dhe Shërbimeve u prezantua nga Z.Julian Llupo, Drejtor i Drejtorisë së Sigurisë së Produkteve, Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Z.Llupo trajtoi problematikat dhe sfidat në mbikëqyrjen e tregut në Shqipëri. Z.Llupo u kujdes të cilësonte kategoritë e produkteve dhe institucionet nga të cilat kontrollohen ato. Po ashtu, ai shpjegoi edhe se si funksionon inspektimi online, si funksionon portali dhe çfarë bëjnë konkretisht inspektorët në çdo fazë të inspektimit. Prezantimi i këtij sesioni u shoqërua me diskutime dhe pyetje nga pjesëmarrësit, duke rritur interesin për njohjen më mirë si të legjislacionit por edhe identifikimin e produkteve të dëmshme e të rrezikshme për konsumatorin.

Sesioni i pestë i Modulit të 3 u prezantua nga Z.Erkand Kola, këshilltar pranë GIZ. Z.Kola e hapi prezantimin e tij me informacione rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe etapat e anëtarësimit, duke sjellë një pasqyrë kronologjike të saj. Z.Kola foli për etapat në të cilat duhet të kalojë një shtet për tu bërë pjesë e BE dhe se në cilën fazë ndodhet Shqipëria momentalisht. Ai shpjegoi gjithashtu edhe ndarjen në kapituj të negociatave sipas metodologjisë së, dhe shpjegoi me imtësi kapituj të caktuar si psh Kapitulli 3, i cili konsiston në të Drejtën e Vendosjes dhe Lirisë për të ofruar Shërbime ndërkufitare. Z.Kola e trajtoi me kujdes këtë kapitull duke sjellë në vëmendje të gjitha aktivitetet që përfshihen, kufizimet dhe përjashtimet nga ky rregull si për shembull policimi, diplomacia apo gjyqësori. Kapitulli rreth të drejtës së vendosjes dhe lirisë për të ofruar shërbime u analizua me kujdes në të gjithë përmbajtjen e tij, direktivën e shërbimeve dhe arsyeja e miratimit të saj, lidhja me fusha të tjera të legjislacionit europian, shërbimet që përfshin direktiva, implementimi i direktivës dhe kërkesa kryesore aktuale për progres në përafrimin në negociata.

Sesioni i fundit i Modulit të tretë u prezantua nga Z.Florian Xhafa. Ai foli për lëvizjen e lirë të mallrave dhe u ndal gjatë në nenet 34-36. U fillua me vendosjen e tregut të brendshëm dhe të gjithë specifikimet si bashkimi dhe bashkëpunimi doganor, lëvizja e lirë e mallrave, dispozitat tatimore, përafrimi i ligjit, etj.  Duke marrë shembuj konkretë nga rasti i Shqipërisë, Z.Xhafa ngriti pyetje mjaft interesante lidhur me importimin e produkteve OMGJ nga vendet e treta drejt BE. Z.Xhafa nuk la pa përmendur edhe akcizat dhe mënyrën se si funksionon dhe ndryshon në varësi të sasisë së produktit. Pati mjaft hapësira për diskutim rreth saj dhe mënyrës se si mund të përmirësohet.