Moduli III, Edicioni III: “Lëvizja e lirë e punëtorëve dhe të drejtat e punëtorëve”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 19 dhe 20 nëntor, në ambjentet e Hotel Mondial, u zhvillua Moduli i tretë i Edicionit III: “Lëvizja e lirë e punëtorëve dhe të drejtat e punëtorëve”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus+, Jean Monnet.

Dy sesionet e para të Modulit të III, u mbajtën nga Z. Embro Ahmetaj nga Avokatura e Shtetit. Z. Ahmetaj foli për kuptimin e qytetarisë europiane dhe të gjitha të drejtat që burojnë nga ajo, si: të ardhurat minimale, koha e punës, ndalimi i diskriminimit. Z. Ahmetaj e shoqëroi informacionin me shembuj konkretë që jepnin një panoramë shumë më të qartë të legjislacionit. Lektori po ashtu trajtoi edhe Direktivën për Lëvizjen e Lirë dhe fushën e veprimit të saj, po ashtu edhe kufizimet e kësaj direktive. Në pjesën e fundit të prezantimit ai foli edhe për kufizimet e lëvizjes së punëtorëve gjatë pandemisë.

Sesioni i tretë i modulit mbi Lëvizjen e lirë dhe të Drejtat e Punëtorëve u zhvillua ditën e shtunë nga Znj. Etleva Dyrmyshi specialiste pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ajo trajtoi gjithë legjislacionin europian të Kapitullit 2 të EU acquis. Znj. Dyrmyshi foli për hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në fushën e lëvizjes së lirë të punëtorëve, institucionet përgjegjëse dhe legjislacionin aktual. Ajo krahasoi raportin e vitit 2021 të Komisionit Europian mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, në lidhje me nivelin e përgatitjes të fushës së lëvizjes së lirë të punëtorëve.

Sesioni i katërt u prezantua nga Znj. Zyhrada Kongoli, eksperte ligjore. Ajo trajtoi kontekstin e përgjithshëm të Kapitullit 19 të EU acquis. Më tej, ajo foli për përafrimin e legjislacionit dhe situatën aktuale në lidhje me punësimin dhe politikat sociale. Znj. Kongoli shprehu nevojën për përmirësim dhe përafrim të mëtejshëm të legjislaciont dhe, përfundimin e prezantimit ajo e shoqëroi me rekomandime.

Sesioni i pestë u mbajt nga Znj. Natasa Vuckovic, Drejtore Ekzekutive pranë Fondacionit Qendra për Demokraci. Ajo solli sfidat dhe praktikat më të mira brenda kapitullit 2 dhe 19 në kontekstin e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Serbisë. Znj. Vuckovic trajtoi bashkëpunimin e palëve të interesuara-qeveria, parlamenti, partnerët socialë, shoqëria civile-si mënyra e duhur për të patur rezultat cilësor.

Moduli i tretë i Akademisë AIEN u mbyll nga Znj. Sajmira Kopani. Ajo foli trendet kryesore në tregun shqiptar të punës si: shkalla e papunësisë, e punësimit dhe e pjesëmarrjes në forcën e punës. Znj. Kopani preku faktorë shqetësues si migrimi, punësimi informal dhe ndikimi i pandemisë në tregun e punës. Në përfundim të prezantimit ajo foli për impaktin e digjitalizimit në tregun e punës si formë e re e punësimit.