Moduli IV, Edicioni III: “Konkurrenca, Ndihma Shtetërore dhe Integriteti”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 17 dhe 18 dhjetor, në ambjentet e Hotel Mondial dhe platformën ZOOM, u zhvillua Moduli i katërt i Edicionit III: “Konkurrenca, Ndihma Shtetërore dhe Integriteti”. Ky modul ishte pjesë e serisë së aktiviteteve të mbajtura përgjatë  “Javës së Integritetit”, zhvilluar nga ICC Albania, ku AIEN ishte partnere këtë vit. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus+, Jean Monnet.

Sesioni i parë i Modulit IV u trajtua nga Znj. Diana Leka, Drejtore pranë Sekretariatit të Këshillit të Investimeve. Ajo foli për formalizimin e tregut si parakusht i të cilit është konkurrenca e ndershme dhe mirëfunksionimi i tregut. Znj. Leka foli për funksionimin dhe objektivat e Këshillit të Investimeve, perceptimin e sektorit privat për konkurrencën e padrejtë në treg dhe ndihmën  shtetërore gjatë COVID-19.

Në sesionin e dytë të mbajtur nga Znj. Fjoralba Caka, lektore pranë Universitetit të Tiranës, u trajtua koncepti i ndihmës shtetërore dhe ndihma shtetërore e palejueshme. Pas shpjegimit të konceptit të ndihmës shtetërore dhe fillesave të implementimit në Shqipëri me firmosjen e MSA-së, Znj. Caka u ndal edhe në interpretimet që i janë bërë këtij nocioni në BE.

Në sesionin e tretë të Modulit IV të zhvilluar nga Z. Conor Quigley, hulumtues pranë Universitetit Oxford, u trajtuan ligjet dhe politikat e ndihmës shtetërore në Bashkimin Europian. Ai shpjegoi në fillim se çfarë është ndihma shtetërore, sa e rëndësishme është ajo dhe pse, duke përmendur raste kur ndihma shtetërore është e lejueshme dhe kur ajo është e ndaluar. Z. Quigley u ndal gjatë te taksimet dhe praktika të rasteve gjyqësore po ashtu edhe shembuj ilustrues nga kompanitë McDonalds, Apple, Starbucks.

Sesioni i katërt i Modulit mbi Konkurrencën, Ndihmën Shtetërore dhe Integritetit u zhvillua ditën e shtunë nga Znj. Fjoralba Caka. Ajo trajtoi nenet 101 dhe 102 të TFBE në lidhje me marrëveshjet që shtrembërojnë tregun dhe konkurrencën e lirë dhe abuzimi me pozitën dominuese duke i shoqëruar me raste nga praktika e Bashkimit Europian.

Në sesionin e pestë, Znj. Daniela Laze nga Autoriteti Kombëtar i Konkurrencës, foli për detyrimet e Shqipërisë në kuadër të Kapitullit 8 EU Acquis. Ajo u ndal te krijimi, funksionet dhe kompetencat e Autoritetit Kombëtar të Konkurrencës. Znj. Laze trajtoi statusin aktual të përgatitjeve të institucioneve përkatëse në kuadër të negociatave dhe procesi screening i Kapitullit. Në përfundim të prezantimit ajo përmendi rekomandimet e Komisionit Europian dhe çështjet më prioritare dhe sfiduese për Shqipërinë.

Sesioni i gjashtë u prezantua nga Znj. Jonida Skëndaj, avokate pranë ReNRGY Trading Group, e cila trajtoi konkurrencën në sektorin publik. Ajo tregoi si ndërhyn e drejta e konkurrences në prokurimet publike duke e shoqëruar me raste nga praktika vendimmarrëse e Autoritetit të Konkurrencës dhe jurisprudenca e gjykatave shqiptare. Në përfundim të prezantimit Znj. Skëndaj shpërnau për pjesëmarrësit një rast praktik nga një vendim gjykate për diskutim.

Në sesionin e shtatë dhe të fundit të Modulit IV, Z. Armando Bode, ekspert ligjor, trajtoi aplikimin e ndihmës shtetërore në sektorin e energjisë elektrike, në formën e punës në grup. Ai prezantoi një rast praktik duke i ndarë pjesëmarrësit në tre grupe, të cilët në fund parashtruan argumentet e tyre.