Moduli IV i AIEN: Lëvizja e Lirë e Punonjësve dhe të Drejtat e Punonjësve

Më datë 15 dhe 16 janar 2021, Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian organizoi Modulin IV të serisë prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021, në ambjentet e Hotel Mondial. Ky modul u zhvillua në mënyrë hibride, me pjesëmarrje fizike dhe online.

Dy sesionet e para të Modulit të IV, mbi Lëvizjen e Lirë dhe të Drejtat e Punonjësve u mbajtën nga Z. Embro Ahmetaj, Lektor i Universitetit të Tiranës. Z. Ahmetaj foli për kuptimin e qytetarisë europiane dhe të gjitha të drejtat që burojnë nga ajo, si: lëvizja e lirë e qytetarëve, e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur në Parlamentin Europian dhe zgjedhjet vendore të vendeve anëtare, e drejta për ti dërguar peticione Parlamentit Europian, etj. Z. Ahmetaj e shoqëroi informacionin me shembuj konkretë mjaft interesantë dhe që jepnin një panoramë shumë më të qartë të legjislacionit. Lektori po ashtu trajtoi edhe Direktivën për Lëvizjen e Lirë dhe fushën e veprimit të saj, po ashtu edhe kufizimet e kësaj direktive.

Sesioni i tretë i modulit mbi Lëvizjen e lirë dhe të Drejtat e Punonjësve u zhvillua ditën e shtunë, më 16 janar 2021 nga Dr. Aida Bushati, Eksperte Ligjore dhe Pedagoge e Drejtësisë në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës. Ajo trajtoi lëvizjen e lirë të personave dhe detyrimet e anëtarësimit të Shqipërisë duke nisur analizën që me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Duke u bazuar në këtë marrëveshje, Znj. Bushati trajtoi nenet që përcaktojnë lëvizjen e lirë të punonjësve. Ajo foli për mosdiskriminimin mbi bazën e shtetësisë, duke dhënë shembull se si një punëtor i një shteti anëtar ka të drejtën të punësohet në një shtet tjetër anëtar. Diskutimi që u hap nga ky parashtrim ishte nëse e prek konkurrencën kjo e drejtë e personave për të lëvizur dhe punuar në një shtet tjetër anëtar dhe si ndikon ky fenomen në marrëdhëniet kërkesë-ofertë të tregut të punës. Znj. Bushati foli edhe për detyrimet e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit, duke marrë në analizë progres raportin e KE 2020.

Sesioni i katërt i Modulit mbi Lëvizjen e Lirë dhe të Drejtat e Punonjësve u prezantua nga Dr. Sonila Danaj, Hulumtuese në Qendrën Europiane për Politika të Mirëqenies Sociale dhe Kërkim. Ajo e nisi prezantimin me kornizën ligjore të Bashkimit Europian në nivel aleance dhe në nivel shteti anëtar, duke folur për traktatet, direktivat, kontratat apo strategjitë e punës për secilin nivel. Ajo u fokusua në të drejtat kolektive, duke marrë si shembull fasoneritë. U diskutua po ashtu për rëndësinë e kontratave të punës. Prezantimi vijoi me trajtimin e shëndetit dhe sigurisë në punë. Znj. Danaj mori si shembull shtetin e Danimarkës. Ky informacion solli edhe diskutime me pjesëmarrësit nga ku njëra pyetje ishte ku ka arritur Shqipëria në këtë aspektet e mbrojtjes së punëtorit dhe vlerësimit të rreziqeve në punë.

Sesioni i pestë i Akademisë AIEN u prezantua nga Znj. Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri. Prezantimi i saj u përqendrua në Dërgimin me Shërbim të Punonjësve në Bashkimin Europian. Znj. Deliu trajtoi legjislacionin e BE-së sa i përket dërgimit me shërbim në një vend tjetër dhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet e personave të dërguar me shërbim. Sa i përket dërgimit me shërbim në Shqipëri, janë një sërë ligjesh që e rregullojnë por nuk janë harmonizuar ende plotësisht. Znj. Deliu foli gjithashtu edhe për dërgimin me shërbim në Ballkanin Perëndimor dhe kuadrin ligjor në këtë rast. Ajo nxorri në pah problematikat sa i përket dërgimit me shërbim dhe bëri rekomandime të vlefshme si në kuadrin ligjor edhe në atë institucional.

Moduli i katërt i Akademisë AIEN u mbyll nga Znj. Sajmira Kopani. Znj. Kopani trajtoi impaktin e digjitalizimit mbi tregun e punës. Ajo solli shembuj nga Belgjika, Italia, Mbretëria e Bashkuar sa i përket termave të përdorur për të punësuarit në këtë formë. Ajo foli edhe përqasjen e legjislacionit europian ndaj këtyre marrëdhënieve të reja të punës, po ashtu për qasjen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), dhe të gjitha rregullimet që ajo parashikon për subjekte që operojnë në këtë lloj tregu.