Moduli IX: Zhvillimi Rural dhe Siguria Ushqimore – Kapitulli 11 dhe 12

Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka mbajtur Modulin IX: Zhvillimi Rural dhe Siguria Ushqimore-Kapitulli 11 dhe 12. Aktiviteti u mbajt në datat 14-15 maj, në ambjentet e Hotel Mondial, me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht dhe pjesa tjetër online, përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i nëntë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.

Dy sesionet e para u mbajtën nga Marsela Maçi, Eksperte Ligjore. Gjatë sesionit të parë, Znj. Maçi trajtoi Politikat e Përbashkëta të Bujqësisë së Bashkimit Europian (CAP), duke përmendur 4 pikat e rregullores së saj si edhe pagesat direkte, të cilat i shoqëroi me të dhëna konkrete. Prezantimi i Znj.Maçi u përqendrua gjithashtu tek masat tregtare (CMO), në lidhje me tregun e brendshëm si edhe në marrëdhënie me vendet e treta. Znj.Maçi e përfundoi prezantimin e saj duke folur për mbështetjen e bujqësisë në Shqipëri, bazuar edhe në ligjin nr. 9817/2007 për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Në sesionin e dytë, Znj. Maçi vazhdoi me sigurinë ushqimore duke e ndarë në dy grupe: ushqimi dhe shëndeti i kafshëve ku përfshiu legjislacionin e BE-së për të dyja këto nëngrupe. Më tej, Znj. Maçi përmendi edhe legjislacionin e BE-së për mbrojtjen e bimëve duke përfunduar prezantimin e saj me një përmbledhje të legjislacionit Shqiptar në fushën e sigurisë ushqimore.

Sesioni i dytë u mbajt nga Frida Krifca, Drejtore e Përgjithshme, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR). Ajo foli për rritjen e buxhetit të AZHBR-së si edhe impaktin që kjo mbështetje financiare ka sjellë, në fushën e bujqësisë, turizmit, e mjedisit. Znj. Krifca u ndal tek skemat kombëtare dhe programi IPARD II duke përmendur kuadrin rregullativ dhe objektivat e këtyre programeve. Ajo e mbylli prezantimin e saj duke paraqitur një hartë të përgjithshme të investimeve të kryera në Shqipëri.  

Sesioni i tretë u mbajt nga Granit Sokolaj, Qendra ALERT. Z. Sokolaj foli për zinxhirin e këputur të sigurisë ushqimore. Ai e nisi prezantimin e tij duke folur për rolin, funksionet, detyrat, dhe përgjegjësitë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në sigurinë ushqimore. Më pas ai trajtoi disa problematika ekzistuese në analizat laboratike të ushqimeve si edhe ndau shqetësime mbi sigurinë e produkteve ushqimore. Gjithashtu, Z. Sokolaj përmendi edhe për ALERT-et Shqiptare dhe Rapid Alert System for Food and Feed (RASFF) duke shtjelluar më tej mungesën e komunikimit të riskut për konsumatorin dhe të sigurisë ushqimore.

Moduli i nëntë u mbyll me prezantimin nga Ersida Teliti, Qendra Konsumatori Shqiptar, si dhe njëkohsisht AIEN Alumni. Znj. Teliti foli për problematikat aktuale për sa i përket çështjes së sigurisë ushqimore dhe konsumatorit. Shpjegoi rëndësinë e ankesës dhe ndjekjen e rrugëve admininistraitve dhe gjyqësore. Ajo theksoi ndryshimin ndërmjet cilësisë dhe sigurisë së produkteve ushqimore duke dhënë edhe disa këshilla praktike për një konsumator dhe qytetar të ndërgjegjësuar.