Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka vazhduar aktivitetet e saj, këtë herë me organizimin e Modulit Praktik, Planifikim Projektesh dhe Bashkëpunim Ndërsektorial. Aktiviteti u mbajt në datat 5 dhe 6 shkurt, në ambjentet e Hotel Mondial me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht ndërsa pjesa tjetër u bashkuan përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i pestë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.
Dy sesionet e para u mbajtën nga lektorja Arjola Agolli, Menaxhere në Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile, Partnerët Shqipëri. Znj.Agolli e nisi fjalën e saj me pjesëmarrjen dhe konsultimin publik në Shqipëri. Zbatimi i parimeve të transparencës dhe llogaridhënies, pjesëmarrjes dhe përfshirjes. Ajo foli për konsultimin publik dhe dhe zhvillimin e kuadrit ligjor të tij, duke përmendur dhe analizuar ligje specifike. Znj.Agolli bëri një vlerësim të situatës momentale sa i përket konsultimit publik duke duke konkluduar se legjislacioni aktual paraqet vështirësi në zbatim dhe mbetet i nevojshëm plotësimi i tij me akte nënligjore, nuk parashikon në mënyrë specifike institucionin përgjegjës për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të detyrimeve ligjore dhe kuadri i brendshëm rregullator i vendit nuk i përgjigjet nevojave dhe detyrimeve ligjore në fuqi. Znj.Agolli foli edhe për hapat kryesorë për realizimin e konsultimit publik nga njësitë e qeverisjes vendore, duke analizuar të gjitha avantazhet dhe disavantazhet e konsultimit publik.
Në sesioni e dytë, Znj.Agolli e orientoi prezantimine saj në ngritjen e fondeve dhe mekanizmat e financimit, duke folur për programet e Bashkimit Europian dhe përfitimi nga fondet e BE. Një pjesë e madhe e programeve të BE-së janë të krijuara ekskluzivisht për vendet anëtare, për të promovuar dhe rritur bashkëpunimin midis tyre, por ka edhe fonde të tjera, si psh IPA që synon ekskluzivisht vendet kandidate. IPA është Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit, aplikohet në disa shtete dhe ka një buxhet të caktuar. IPA II mbështet vendet përfituese në hartimin dhe zbatimin e reformave të kërkuara politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike me qëllim përmbushjen e vlerave të Unionit dhe njëtrajtësimin gradual të rregullave, standardeve praktike dhe politikave me vizionin final integrimin në BE. Znj.Agolli foli për objektivat specifikë të IPA dhe karakteristikat kryesore, duke u fokusuar në Shqipëri. Shqipëria është pjesëmarrëse dhe përfituese në disa programe europiane me në fokus inovacionin, kërkimin, arsimin, median, kulturën dhe punësimin, ekonominë dhe drejtësinë.
Sesionet 3 dhe 4 të Modulit Praktik u mbuluan nga lektorja Klotilda Kosta, Drejtore e Programeve, Partnerët Shqipëri. Znj.Kosta e përqëndroi prezantimin e saj te sigurimi i mbështetjes financiare përmes granteve. Ajo trajtoi të gjitha etapat e projektit duke filluar që nga zhvillimi i projekt-idesë, cikli i jetës së projektit, fazat e përgatitjes së projektit si edhe përmendi disa hapa të rëndësishëm që do e bënin një aplikim të suksesshëm, pa harruar edhe kornizën ligjore. Një vëmendje të veçantë në prezantim mori edhe analiza e aktorëve, problemeve, analiza e objektivave dhe analiza e strategjisë, gjatë të cilave pati një ndërveprim dhe kontribut të pjesëmarrësve në analizimin e një rasti konkret në sallë. Znj.Kosta vijoi leksionin e saj duke trajtuar edhe komponentët e monitorimit dhe vlerësimit të projektit, si dy faza tepër të rëndësishme për të përcaktuar suksesin apo dështimin e tij, duke i shoqëruar sigurisht edhe këto faza me shembuj dhe mbi ç’baza bëhet vlerësimi. Po ashtu iu kushtua një hapësirë diskutimi edhe buxhetimit të projektit si edhe gjithçka duhet patur parasysh në shpërndarjen e zërave. Prezantimi i znj.Kosta hapi diskutime mjaft interesante në sallë dhe nxiti përfshirjen e të gjithë pjesëmarrësve në analizimin e shembujve praktikë që ajo dhe vetë pjesëmarrësit sollën.
Dy sesionet e fundit të Modulit Praktik u mbajtën nga Znj.Jonida Alite, Drejtore Programesh, Partnerët Shqipëri. Ajo e orientoi prezantimin e saj në planifikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet sektorëve. Znj.Alite analizoi të gjitha hapat e procesit të planifikimit kooperues, duke filluar nga identifikimi i çështjes, ndërtimi i marrëdhënies shumëpalëshe, lehtësimi i procesit të planifikimit kooperues deri te implementimi dhe monitorimi i marrëveshjeve të arritura. Znj.Alite paraqiti një analizë të detajuar të aktorëve duke krahasuar edhe pikat e forta dhe të dobëta të aktorëve në përgjithësi, si nga sektori publik, sektori i shoqërisë civile dhe nga biznesi, pa lënë mënjanë edhe përcaktimin e fuqisë dhe influencës së tyre. Ajo përmendi gjithashtu edhe llojet e negociatave kur palët janë të prirura të arrijnë marrëveshje.