Moduli V, Edicioni III: “Promovimi i të Drejtave të Njeriut në kuadër të Integrimit Europian- Kapitulli 23”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 4 dhe 5 shkurt, në ambientet e Hotel Mondial dhe platformën ZOOM, u zhvillua Moduli i pestë i Edicionit III: Promovimi i të Drejtave të Njeriut në kuadër të Integrimit Europian- Kapitulli 23. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus+, Jean Monnet. 


Sesioni i parë i Modulit V u trajtua nga Znj. Darinka Piqani, lektore pranë Universitetit Leiden. Sesioni nisi me një panoramë të përgjithshme të kuadrit ligjor europian të të drejtave të njeriut, duke u ndalur në zbërthimin e detajuar të Kartës Europiane të të Drejtave Themelore të BE-së: përmbajtja e Kartës, si ka ndikuar Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut si bazë për rishikimin gjyqësor për legjislacionin e BE-së. Së fundi, Znj. Piqani trajtoi respektimin e të drejtave themelore të njeriut si kusht për anëtarësimin në Bashkimin Europian. 


Sesioni i dytë i modulit mbi Promovimin e të Drejtave të Njeriut në kuadër të Integrimit Europian u zhvillua ditën e shtunë nga Z. Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Përgjatë këtij sesioni Z. Gajda solli në vëmendje aspekte të ndryshme të mbrojtjes nga diskriminimi duke përmendur këtu kuadrin ligjor, qasjet institucionale si dhe impaktin e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit. Duke ilustruar informacionin e dhënë me raste praktike, ai theksoi format e ndryshme të diskriminimit dhe dinamikat që i shoqërojnë ato. Më tej, Z. Gajda nënvizoi që inkoherenca dhe mungesa e akteve nënligjore e vështirësojnë rrugëtimin drejt një shoqërie që mbështetet në parimet e barazisë. 


Në sesionin e tretë të mbajtur nga Z. Ened Topi, Senior Manager i Deloitte Legal Albania u trajtuan të dhënat personale si e drejtë themelore e njeriut. Z. Topi dha një pamje të qartë të kuadrit ligjor që parashikon mbrojtjen e të dhënave personale duke nënvizuar këtu edhe problematikat që e shoqërojnë. Më pas, ai trajtoi përafrimin e legjislacionit vendas me Rregulloren e BE për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (GDPR) dhe ndryshimet kryesore mes tyre. Z. Topi vlerësoi që ndryshimet adekuate ligjore do të krijonin kushtet për të pasur një vendim përshtatshmërie për Shqipërinë i cili do të kontribuonte në rrugëtimin Europian të vendit.


Sesioni i katërt i Modulit V u mbajt Z. Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës “Res Publika” u trajtua liria e shprehjes dhe e tubimeve sipas standardeve europiane. Sesioni nisi me një shpjegim të vlerave themelore që Bashkimi Europian promovon. Z. Matlija analizoi në detaje lirinë e shprehjes dhe të tubimeve, duke marrë dhe shembuj të shumtë nga jurisprudenca e GJEDNj. Duke u bazuar në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut z. Matlija theksoi si ndikojnë këto vlera në shkallën e demokratizimit dhe standardet e unionit. 


Moduli u mbyll me Znj. Ines Leskaj, Drejtore Ekzekutive e organizatës AWEN, e cila trajtoi dhunën me bazë gjinore   në Shqipëri dhe elemente të barazisë gjinore. Gjatë analizës së saj Znj. Leskaj shpjegoi termat përkatësi gjinore, role gjinore, stereotipet gjinore dhe dhuna me bazë gjinore. Në fund të prezantimit të saj, Znj. Leskaj foli për instrumentet ligjore ndërkombëtare dhe kombëtare përsa i përket luftës kundër dhunës së vajzave dhe grave.