Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 18 dhe 19 shkurt, në ambientet e Hotel Mondial dhe platformën ZOOM, u zhvillua Moduli i gjashtë i Edicionit III: Migracioni dhe Azili- Kapitulli 24. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus+, Jean Monnet.
Sesioni i parë dhe i dytë i Modulit VI u mbajt nga Z. Vladimir Petronijevic, Drejtor Ekzekutiv pranë Grupa 484. Në sesionin e parë, Z. Petronijevic foli për procesin e negociatave të pranimit të Serbisë në BE, duke u ndalur te korniza ligjore, politike dhe ajo e strukturës së negociatave. Më tej, ai trajtoi ligjin e ri për Azilin, që nga dispozitat e përgjithshme, parimet dhe garancitë, të drejtat dhe detyrimet e refugjatëve, mbrojtja e përkohshme, si dhe theksoi ngritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në funksion të çështjeve të migracionit dhe azilit. Në fund të sesionit të parë, Z. Petronijevic nënvizoi rolin e rëndësishëm që duhet të ketë shoqëria civile në procesin e negociatave për antarësim në BE.
Në sesionin e dytë, Z. Petronijevic u ndal te sfidat e migracionit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rajon i cili po përballet me kontrabandë të migrantëve dhe refugjatëve. Në këtë situatë, sfidat kryesore - theksoi ai, mbeten infrastruktura dhe burimet njerëzore të pamjaftueshme, si dhe mungesa e përkthyesve profesionistë për gjuhët nga vijnë emigrantët.
Në sesionin e tretë të Modulit VI, të zhvilluar nga Z. Ilir Kalemaj, zv. Rektor në UNYT, u trajtua politika e përbashkët e Migracionit dhe Azilit në BE. Z. Kalemaj shpjegoi valët e migrimit që po ndodhin vitet e fundit drejt Bashkimit Europian, format e e migrimit, siç janë migrimi i ligjshëm, migrimi i paligjshëm, refugjatët dhe azilkërkuesit, duke u fokusuar më shumë në tre format e fundit. Më tej, në analizën e tij, Z. Kalemaj trajtoi rolin e FRONTEX – si pjesë themelore e përpjekjeve për të ruajtur sigurinë kufitare të vendeve të Bashkimit Europian. Në fund të prezantimit Z. Kalemaj foli për bashkëpunimin midis vendeve për riatdhesimin e migrantëve të parregullt dhe politikat që ndiqen për të realizuar riatdhesimin.
Sesioni i katërt u mbajt nga Z. Geron Kamberi, ekspert i çështjeve të migrimit. Ai trajtoi menaxhimin e migracionit të rregullt dhe të parregullt. Në prezantimin e tij, Z. Kamberi bëri një analizë të detajuar të profilit të migrimit në vendin tonë, duke vënë theksin tek vala e emigrimit që po përfshin vendin në vitet e fundit. Më tej ai prezantoi edhe politikat e UNHCR ndaj Azilit .
Sesioni i pestë u mbajt nga Z. Showvik Das Tamal, zyrtar për marrëdhëniet me jashtë pranë UNHCR në Shqipëri. Ai foli për politikat e UNHCR ndaj refugjatëve dhe azilkërkuesve, duke theksuar mbrojtjen ndaj tyre, si hapin e parë dhe kryesor, më pas ndjekjen e procedurave të tjera të parashikuara. Gjithashtu, Z. Tamal foli për ligjin e ri të azilit në Shqipëri dhe nevojën e harmonizimit të legjislacionit kombëtar me standardet BE-së.
Në sesionin e gjashtë, të mbajtur nga Armela Xhaho, hulumtuese pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, u prezantua hulumtimi “Kthimi i migrantëve dhe ri- integrimi i tyre në Shqipëri.’’ Znj. Xhaho trajtoi historikun e migracionit të kthimit në Shqipëri, më tej foli për dinamikat e riintegrimit të emigrantëve në tregun e punës. Sipas Znj. Xhaho, hulumtimi evidentoi një gjendje pakënaqësie, të emigrantëve të intervisuar, ndaj tregut të punës dhe mungesës së politikave të riintegrimit.