Moduli VII: Migracioni dhe Azili – Kapitulli 24

Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka mbajtur Modulin VII, Migracioni dhe Azili – Kapitulli 24. Aktiviteti u mbajt në datat 12-13 mars, në ambjentet e Hotel Mondial, me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht dhe pjesa tjetër online, përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i shtatë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.

Sesioni i parë u hap nga Adela Hodaj, pjesëmarrëse e AIEN  dhe koordinatore në Drejtorinë e Antitrafikut dhe Migracionit, pranë Ministrisë së Brendshme. Znj.Hodaj foli për trafikimin e personave duke trajtuar kuadrin ligjor ndërkombëtar dhe atë shqiptar. Ajo përmendi elementët kryesorë të trafikimit dhe u ndal më shumë te qëllimi si element i trafikimit të qenieve njerëzore. Një fokus të veçantë pati mbi trafikimin e të miturve dhe dallimit nga trafikimi i personave të rritur kur ata aprovojnë vetë të trafikohen. Ajo solli të dhëna ndër vite nga Ministria e Brendshme. U trajtuan gjithashtu shkaqet e trafikimit që mbeten më shumë ekonomike por edhe sociale apo politike.  Znj.Hodaj u ndal edhe te format dhe mënyrat e trafikimit dhe se si mund të bëhet identifikimi i viktimave të trafikimit. Një diskutim të gjerë mori edhe trafikimi online si një kërcënim në rritje dhe teknologjitë si sfidë më vete.

Sesioni i dytë u mbulua nga Geron Kamberi, Ekspert për Cështjet e Integrimit Europian dhe aktualisht Drejtor Ekzekutiv në Qendrën për Lidership në Arsim. Z.Kamberi foli për Kapitullin 24 dhe migracionin, duke filluar që me krijimin e Komitetit Europian, te Traktati i Mastrihtit dhe Kriteret e Kopenhagenit. Duke shpjeguar evolucionin e institucioneve dhe ligjeve të BE, ai shpjegoi më qartë Kapitullin 24 dhe elementët e tij. Ai theksoi disa herë që Kapitujt 23 dhe 24 janë ndër të parët që hapen dhe të fundit që mbyllen në procesin e negociatave.  Në vazhdimësi u trajtua kuadri institucional për migracionin në nivel kombëtar dhe Strategjia e Shqipërisë për Migracionin 2019-2022. Po ashtu u trajtua kuadri institucional për migracionin në nivel të Bashkimit Europian, axhenda e BE-së për migracionin dhe kuadri i BE për të luftuar migracionin e parregullt. Në vijim z.Kamberi foli edhe për migracionin e ligjshëm, trajtimin e barabartë dhe integrimin e migrantëve të ligjshëm. Prezantimi i tij u mbyll me disa shifra të migracionit të paligjshëm në nivel kombëtar dhe europian dhe iu dha hapësirë diskutimi bashkëpunimit Shqipëri-Frontex për migracionin.

Sesioni i tretë i Modulit mbi Migracionin dhe Azilin u mbulua nga Pablo Zapata, Përfaqësues i UNHCR. Z.Zapata prezantoi Ligjin për Azilin, duke analizuar përmbajtjen e ligjit që nga dispoziatat e përgjithshme, parimet dhe garancitë, të drejtat dhe detyrimet e refugjatëve, procedurat e ankesave, mbrojtja e përkohshme, trajtimi i të dhënave personale, etj. Ai trajtoi parimet kryesore ndërkombëtare të ligjit mbi azilin, llojet e procedurave, mbrojtjes apo kërkesave të azilkërkuesve.  Rëndësi e veçante iu dha të drejtave të azilkërkuesve sa i përket kushteve themelore të jetës. Prezantimi u mbyll duke përmendur sfidat e ligjit mbi azilin ku theksohet se ligji është në përputhje me ligjet dhe standardet ndërkombëtare të refugjatëve edhe pse disa dispozita janë komplekse dhe sfiduese për tu zbatuar në praktikë. Zbatimi i legjislacionit kërkon alokimin e burimeve të mjaftueshme buxhetore dhe njerëzore, si dhe aktivitete të dedikuara, të qëndrueshme për ndërtimin e kapaciteteve.

Sesioni i katërt u prezantua nga Zyhdi Mema, Shef i Sektorit të Analizës së Rriskut, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Z.Mema foli për bashkëpunimin Shqipëri-Frontex duke prezantuar objektivat e Marrëveshjes së Punës, aktivitetet në zbatim të saj si edhe projektet e këtij bashkëpunimi.  Një vëmendje e veçantë iu kushtua situatës së imigracionit të parregullt duke e shoqëruar me shifra krahasimore ndër vite. Diskutim të gjerë mori edhe situata aktuale e imigrantëve që vijnë nga Siria apo vende të tjera ku ka trazira dhe paqëndrueshmëri dhe qëndrimi i tyre i përkohshëm në Shqipëri apo vendet fqinje.

Dy sesionet e fundit të Modulit VII u mbuluan nga Vladimir Petronijevic, Drejtor Ekzekutiv, Grupa 484.  Në pjesën e parë Z.Vladimir foli për negociatat e pranimit të Serbisë në BE duke u përqendruar te sfidat brenda Kapitullit 24, veçanërsisht çështjet e migracionit dhe azilit. Ai prezantoi kornizën legjislative dhe politike të Bashkimit Europian duke u fokusuar te korniza e negociatave, parimet dhe procedurat negociuese, ku shpjegoi edhe fazat e procesit screening dhe progresin e Serbisë në këtë proces. Z.Vladimir konstatoi edhe se çfarë duhet të bëjë Serbia sa i përket sistemimit të migracionit të ligjshëm bazuar mbi raportin e procesit screening mbi migracionin dhe azilin. Ai përmendi gjithashtu edhe Planin e Punës së Serbisë në kuadër të Kapitullit 24 mbi migracionin dhe azilin.

Në pjesën e dytë, Z.Vladimir foli për kontrabandën e migrantëve, duke iu referuar në fillim Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar dhe Protokollit kundër Kontrabandës së Migrantëve nga toka, deti dhe ajri po ashtu edhe Direktiva përkatëse të Këshillit të Bashkimit Europian rreth këtij fenomeni. Z. Vladimir e përqendroi prezantimin e tij në Ballkanin Perëndimor. Referuar Europol ai konstatoi se rrugët kryesore nga kalon kontrabanda e migrantëve janë e para përmes Shqipërisë duke vazhduar në Mal të Zi dhe Bosnjë e më tutje dhe Serbi dhe e dyta përmes Maqedonisë së Veriut për në Serbi, Bosnje, Kroaci apo rrugë të tjera alternative. Po ashtu z.Vladimir solliu edhe shifra sa i përket numrit të Kontrabandës së migrantëve në Ballkanin Perëndimor vitet e fundit, duke theksuar edhe sfidat me të cilat po përballen shtetet e BP.