Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka vijuar aktivitetet e saj, këtë herë me Modulin VI, Promovimi i të Drejtave të Njeriut në kuadër të Integrimit Europian. Aktiviteti u mbajt në datat 26-27 shkurt, në ambjentet e Hotel Mondial, me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht dhe pjesa tjetër online, përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i gjashtë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.
Dy sesionet e para të aktivitetit u prezantuan nga Znj.Darinka Piqani, lektore në Universitetin Leiden, Holandë. Ajo u përqëndrua në Kartën Europiane të të Drejtave Themelore, roli i saj dhe aplikimi i saj në disa shtete anëtare. Znj.Piqani trajtoi të drejtat e njeriut në BE që nga fillimi i Komunitetit Europian deri në ditët e sotme, duke u bazuar të Traktatet kryesore, Protokollet dhe Deklaratat, Karta e të Drejtave Themelore, Direktivat, Rregulloret dhe Jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
Në sesionin e dytë ajo e orientoi prezantimin e saj me të drejtat e njeriut si burim konflikti mes të drejtës së BE dhe të drejtës kushtetuese, rast në të cilin ajo trajtoi parimin e supremacisë së të drejtës europiane, duke e shoqëruar me shembuj dhe raste konkrete.
Sesioni i tretë i Modulit VI u mbulua nga Z.Robert Gajda, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Z.Gajda prezantoi në fillim ligjin për mbrojtjen ndaj diskriminimit dhe trajtoi në vazhdimësi shkaqet e diskriminimit, format e diskriminimit dhe fushat e diskriminimit. Z.Gajda foli për rolin insttitucional të KMD dhe se si realizohet ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i qytetarëve. Një pjesë e rëndësishme e prezantimit u fokusua te pakicat kombëtare dhe format e diskriminimit që mund ti bëjnë këto pakica subjekt. Ai nxorri në pah edhe problematikat në lidhje me mbrojtjen efektive ndaj tyre si psh mungesa e akteve nënligjore, inkoherenca e nxjerrjes së tyre, etj. Prezantimi i tij u shoqërua me raste të formave të ndryshme të diskriminimit të trajtuara nga KMD.
Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive në Komitetin Shqiptar të Helsinkit prezantoi sesionin e katërt të modulit mbi promovimin e të drejtave të njeriut. Prezantimi i saj pati në fokus respektimin e të drejtave të shtetasve me probleme të shëndetit mendor në sistemin penitenciar. Znj.Skëndaj prezantoi misionin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe qëllimin e tij për të garantuar të drejta të plota edhe atyre njerëzve me probleme të shëndetit mendor në institucionet ku ata mbahen dhe trajtohen. Ajo po ashtu prezantoi raporte nga KSHH ndër vite sa i përket respektimit të të drejtave të tyre, duke nxjerrë në pah të gjitha mangësitë e institucioneve që kujdesen për personat me probleme të shëndetit mendor sa i përket respektimit të të drejtave të tyre. Prezantimi i saj u shoqërua me raste konkrete edhe nga Gjykata e Strasburgut.
Sesioni i pestë u mbulua nga Z.Dorian Matlija, Drejtor Ekzekutiv në Qendrën “Res Publica”. Ai trajtoi lirinë e shprehjes, lirinë e tubimeve dhe të drejtën për strehë sipas standardeve europiane. Duke iu referuar diversitetit dhe promovimit që Bashkimi Europian i bën vlerave demokratike, ai trajtoi në veçanti nenin 10 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut që i referohet lirisë së shprehjes. Një vëmendje të veçantë mori edhe liria e tubimeve si një kusht i nevojshëm për një shoqëri demokratike, të cilën Z.Matlija e shoqëroi me raste konkrete nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Në vazhdimësi të të drejtave të njeriut u fol për të drejtën për strehim sipas Kartës Sociale Europiane, shoqëruar gjithashtu me raste nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Sesioni i fundit i Modulit 6 u mbyll nga Znj.Eriada Cela, Lektore në Universitetin ‘Aleksandër Xhuvani’, AIEN Alumni. Prezantimi i saj u orientua në respektimin e të drejtave të grave në Shqipëri. Znj.Cela e hapi ligjërimin e saj duke iu referuar legjislacionit të BE sa i përket barazisë gjinore, nga një barazi formale në barazi thelbësore. Ajo prezantoi edhe Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2020 dhe progresit që ka pasur vendi, po ashtu edhe evidentimin e të gjitha pengesave që pamundësojnë progres. Një vëmendje e veçantë iu kushtua dhunës në familje dhe rasteve të shtuara gjatë pandemisë Covid-19, duke hapur diskutime me pjesëmarrësit dhe ide rimëkëmbjeje.