Moduli VII - Praktik, Edicioni III: “Planifikim Projektesh dhe Bashkëpunim Ndërsektorial”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 4 dhe 5 mars 2022, në ambientet e Hotel Mondial u zhvillua Moduli i shtatë i Edicionit III: “Planifikim Projektesh dhe Bashkëpunim Ndërsektorial”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus+, Jean Monnet.

Sesion i parë u mbajt nga Ana Mullanji, Drejtore Ekzekutive e Përtej Barrierave. Znj. Mullanji e nisi leksionin duke dhënë një panoramë të programeve europiane për rininë, dhe u ndal për të trajtuar më gjerësisht programin Erasmus Plus, fushat tematike të programit, objektivat e përgjithshme dhe prioritetet e tij. Ajo foli për strukturën e programit, vendet pjesëmarrëse, financimin. Znj. Mullanji po ashtu u ndal në programin Korpusi Europian i Solidaritetit, afatet e aplikimit, akreditimin e organizatave dhe institucioneve pjesëmarrëse. Në fund të prezantimit të saj ajo bëri shpjegimin e detajuar të procesit të aplikimit dhe certifikimit të organizatave.  Në përfundim të prezantimit interes nga ana e pjesëmarrësve pati mbi platformën e re të aplikimit dhe mbi aspekte praktike të aplikimit.

Sesioni i dytë i modulit nisi me një ushtrim praktik, ku lektorja e sesionit, Irena Topalli nga Përtej Barrierave. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe punuan mbi një format aplikimi, pas ushtrimit u diskutuan pikat kyçe të tij si: metodologjia, qendrueshmëria e propozimit, si edhe zgjerimi i impaktit të projektit. Secili prej grupeve trajtoi në veçanti elementet që ishin më të rëndësishëm në aplikim sipas këndvështrimit të tyre, ndër më të rëndësishme u përmendën qendrueshmëria e aplikimit, buxheti, menaxhimi i riskut, partneriteti dhe impakti i projektit. Pjesa e dytë e sesionit u orientua drejt promovimit të vlerave europiane. Në këtë pjesë Znj. Topalli po ashtu zhvilloi një ushtrim praktik për të nxitur pjesëmarrësit në evidentimin e vlerave më të rëndësishme sipas gjykimit të tyre. Ushtrimi shërbeu si shtysë për një diskutim të gjerë rreth asaj që cilësohet si qytetaria europiane dhe kriteret për një projekt me dimension europian. Mësimi ndërkulturor, strategjia e përfshirjes dhe diversitetit, dixhitalizimi dhe të mësuarit sipërmarrës, inovacioni u trajtuan po ashtu gjatë këtij sesioni interaktiv.

Dita e dytë e modulit nisi me sesionin mbi mbështetjen financiare para-zgjerimit (IPA). Sesioni u mbajt nga Migena Kalthi, AIEN Alumni. Znj. Kalthi e nisi prezantimin e saj me një panorama të formave të mbështetjes për Shqipërinë ndër vite me theks në instrumentat pararendës të IPA. Prezantimi vijoji me detajimin e programit IPA I me të gjithë komponentët e tij përbërës, bazën ligjore mbi të cilën ky program është mbështetur për të vijuar më pas me mënyrën e menaxhimit të këtyre fondeve dhe dallimet mes programeve. Në kuadër të krahasimit të programeve u dhanë statistika mbi kontratat e nënshkruara, buxhetin e planifikuar dhe buxhetin e kontraktuar. Pjesa qendrore e prezantimit u vërtit rreth programit IPA II, bazës ligjore, organizimi i strukturave dhe zbatimi i programeve të zbatuara nga strukturat shqiptare. Lidhur me programin IPA III Znj. Kalthi u ndal risitë dhe sfidat, prioritetet dhe dritaret tematike.

Në sesionin e katërt u trajtuan programet e bashkëpunimit ndërkufitar si një nga mekanizmat e financimit të BE. Drejtuesja e Sekretariatit të Përbashkët Teknik të Programit IPA BNK Shqipëri-Kosovë 2014-2020, Manjola Hidri e nisi fjalën e saj me një historik të instrumenteve financiarë që BE-ja përdor për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar mes vendeve të rajonit. Ajo dha një përshkrim të detajuar të IPA I, IPA II, qëllimet, objektivat, fushat e politikave, si edhe buxhetin total të tyre, e po ashtu shumat përkatëse të alokulara sipas sektorëve për vendin tonë. Znj. Hidri, pas panoramës së përgjithshme, u fokusua në detaje të programve të bashkëpunimit ndërkufitar, cilët janë përfituesit e këtyre programeve, si kategorizohen programet, shtrirja kohore e tyre, duke dhënë edhe shpembuj praktik me programe konkrete. Një pikë me rëndësi e trajtuar gjatë sesionit ishte po ashtu edhe analiza e vlerës së shtuar që këto programe bashkëpunimi sjellin në nivele të ndryshme (lokal, rajonal, integrimi në BE), problemet e hasura përgjatë implementimit, duke u përmbyllur me udhëzime mbi përgatitjen e projekt propozimeve.

Sesioni i fundit i Modulit Praktik u mbajt nga Juliana Marko (Gjinko), Pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë- Universiteti i Tiranës. Ajo e orientoi prezantimin e saj drejt përvojës së Fakultetit FHF në programin Jean Monnet – Erasmus +. Si fillim Znj. Mako bëri një prezantim të nismës dhe objektivave, duke u fokusuar më pas në programet e shkurtra mësimore/kurset në fushën e studimeve të BE-së që ofrohen në një IAL, kohëzgjatja e tyre, shuma e grantit, orët e mësimit që zhvillohen në një vit akademik. Gjatë sesionit lektorja mori në analizë module të ndryshme të cilat janë në proces implementimi nga Institucione të Arsimit të Lartë në vendin tonë, duke zbërthyer elementet përbërëse të secilit prej tyre. Ajo i kushtoi rëndësi po ashtu edhe mënyrës së përgatitjes së një aplikimi të suksesshëm dhe burimet ku aplikantët mund të mbështeten për më tepër informacion.