Moduli VIII, Edicioni III: “Politikat e Energjisë - Kapitulli 15”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 18 dhe 19 mars 2022, në ambientet e Hotel Mondial, u zhvillua Moduli i tetë i Edicionit III: “Politikat e Energjisë-Kapitulli 15”. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) me mbështetjen e fondeve të Komisionit Europian, Programi Erasmus+, Jean Monnet.

Në sesionin e parë të aktivitetit Gjergj Simaku, Zv. Ministër pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, foli për detyrimet e Shqipërisë dhe politikat e energjisë. Ai shpjegoi përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë për kapitullin e energjisë, zhvillimet më të rëndësishmë në këtë fushë, sektorët prioritarë sipas raporteve të fundit të KE dhe sfidat e perspektivat e Ministrisë së Infstrukturës dhe Energjisë. Z. Simaku shpjegoi me anë të një grafiku zbritjen nga çmimi i tregut në çmimin e bursës, foli për rëndësinë paketave fotovoltaike, sidomos nga konsumatori i vogël. Nga ana e pjesëmarrësve pati interes për incenerimin si proces dhe si mundësi për prodhimin e rinovueshëm të energjisë, si dhe për planin strategjik dhe telat elektrike. Ku në përgjigje, Z. Simaku bëri edhe një karahasim me kulturën botërore, e cila sipas tij është shumë ndryshe, gjithashtu foli për rrjetin e izoluar elektrik, i cili paraqet shumë humbje.

Në sesionin e dytë të modulit fjala ishte për Adrian Jasimi nga Sekretariati i Energjisë, Vjenë. Ai foli për bashkëpunimin rajonal në Europën Juglindore në kuadër të Integrimit Europian për gazin dhe naftën. Solli të dhëna mbi prodhimin e naftës dhe përpunimin e saj, duke sjellë një panoramë të rezervave të naftës në rajon. Ai po ashtu solli në vëmendje se furnizimi i Shqipërisë me naftë është një problem i madh dhe se duhet zgjidhur në mënyrën më të mirë. Sipas tij Europa nuk është e përgatitur për ndalimin e furnizimit me gaz nga Rusia. Në fund të prezantimit Z. Jasimi dha rekomanimet për vendet e rajonit që janë të varura nga importi i naftës. Nga ana e pjesëmarrësve pati interes të dihet nëse ai sheh ndonjë dështim të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës gjatë këtyre viteve të fundit. Z. Jasimi u shpreh se duke e krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria është në avangardë dhe në përgjithësi performanca është e mirë. Pa u futur në detaje, tha se për rezervën e naftës ka një vlerësim të lartë pasi nënproduktet e naftës janë prezente në vendin tonë.

Në sesionin e tretë lektor ishte Romir Pajenga, Drejtor i Departamentit të Tarifave dhe Çmimeve në Autoritetin Rregullator të Energjisë në Shqipëri. Prezantimi i tij kishte në fokus sektorin e energjisë elektrike. Ai solli në vëmendje modelin shqiptar të Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, duke e shpjeguar situatën sipas skemës, ku veç Entit Rregullator mori në shqyrtim edhe Autoritetin e Konkurrencës. Z. Pajenga theksoi rëndësinë e marrjes së vendimeve në bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve. Më tej, foli për bursën APLEX dhe për të drejtën e klientëve për të ndryshuar ofruesin e energjisë elektrike. Pikë themelore e leksionit ishin dhe tarifat e energjisë, për të cilat lektori shpjegoi se nuk mund të ndryshojnë nga viti në vit dhe në Shqipëri kemi tarifa 3 vjeçare, duke bërë një krahasim me Europën e cila ka vendosur tarifa 5 vjeçare. Pati interes të lartë nga ana e pjesëmarrësve për të ditur më shumë për metodologjinë e vendosjes së çmimit, se cili është përgjegjes për telat e varura, për përgjegjësitë e entit në krijimin e një zone ankandi. Z. Pajenga shpjegoi se ERE nuk e ka kapacitetin për krijimin e metodologjisë pa asistencën e dikujt dhe se çmimi i konsumit për konsumatorin e lirë nuk është në kompetencën e entit. Përsa i përket telave, ai shpjegoi se këto tela nuk kanë më ngarkesë elektrike sepse sipas planit të zhvillimit të ERE, këto tela kalojnë nën tokë.

Sesioni i katërt u mbajt nga Sokol Dervishi, Dekan nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin EPOKA. Z. Dervishi foli për efiçiencën e energjisë në ndërtesa, duke shpjeguar se përse është e rëndësishme dhe cilat janë standardet që duhet të zbatohen, si edhe duke sjellë informacione praktike mbi certifikimin. Ai vuri në dukje rëndësinë e përshtatjes dhe ndërtimit të ndërtesave në bazë të klimës së vendit, si edhe rëndësinë e përdorimit të modeleve kompjuterike për të treguar ‘what if’, programe të cilat në Shqipëri ende nuk janë implementuar. Gjithashtu vuri theksin në rëndësinë dhe rolin e optimizimit, p.sh., blerja e xhamit më të përshtatshëm për klimën në Shqipëri dhe jo detyrimisht blerja e xhamit më të shtrenjtë. Gjithashtu, si një kërkues shkencor solli edhe shembuj nga eksperimente të ndryshme. Më tej shpjegoi se funksioni i ndërtesës ka shumë ndikim në kostot e saj. Në përfundim Z. Dervishi prezantoi një studim duke nxjerrë në pah rolin e gjelbërimit në uljen e temperaturës së ambientit të brendshëm. Sesioni u mbyll me diskutime nga ana e pjesëmarrësve kryesisht lidhur me dendësinë e popullatës në raport me hapsirën në Shqipëri, dhe izolimet e ndërtesave.

Sesioni i pestë i Modulit VIII u mbajt nga Endrit Kapaj, Shef i Departamentit Ligjor Albgaz sh.a., AIEN Alumni. Z. Kapaj foli për krizën globale të gazit dhe u fokusua në analizën e Koridorrit Jugor të Gazit, si zinxhiri më i ndërlikuar i gazit në botë. Lektori u përqëndrua në analizimin e rolit që ka Rusia në tregun botëror të gazit, e cila kryeson listën e eksportuesve të gazit në botë. Më tej, ai prezantoi pjesëmarrësit me rrugët e reja të gazit dhe kapacitetet e vendeve të tjera për të plotësuar kërkesat e BE-së. Lidhur me këtë aspekt, Z. Kapaj u shpreh: ‘’ Korridori Jugor i Gazit mund të sjellë konkurrencë për të gjitha vendet e BE-së dhe të mpijë Rusinë si “armë energjitike”. Në përfundim të prezantimit lektori foli për rolin dhe kapacitet e Shqiperisë, e cila, duke shfrytëzuar pozicionin e saj strategjik ka potencial për të tërhequr investimet e huaja dhe të integrohet në rrjetin e furnizimit me gaz në rajon dhe më gjërë. Më tej u analizua roli i TAP si një projekt strategjik për Shqipërinë dhe Europën Juglindore. Diskutimet dhe shkëmbimet e këndvështrimeve të pjesëmarrësve përmbyllën këtë sesion. 

Sesioni i gjashtë i modulit u mbajt nga Lorenc Gordani, Shef i Departamentit të Lëndëve Profesionale, Fakulteti i Drejtësisë, Tirana Business University. Z. Gordani prezantoi zhvillimet më të fundit në fushën e energjive të rinovueshme në Shqipëri. Analiza e tij filloi me prezantimin e kuadrit ligjor dhe institucional në Shqipëri. Me tej Z. Gordani i prezantoi pjesmarrësit me shembuj konkretë të shfrytëzimit të energjive të rinovueshme si dhe me potencialin e shfrytëzimit të energjisë së erës, diellit, etj. Z. Gordani e përmbylli prezantimin e tij me Axhendën e Gjelbër në BE dhe investimet në Ballkanin Perëndimor.