Moduli VIII: Politikat e Energjisë – Kapitulli 15

Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka mbajtur Modulin VIII, Politikat e Energjisë – Kapitulli 15. Aktiviteti u mbajt në datat 26-27 mars, në ambjentet e Hotel Mondial, me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht dhe pjesa tjetër online, përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i tetë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.

Sesioni i parë u mbajt nga Gjergj Simaku, Zv.Ministër pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Z.Simaku foli për ALPEX sh.a. (Albanian Power Exchange) dhe bashkimin e tregut duke u fokusuar te ndryshimet ligjore. Ai trajtoi aspektin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, ndarjen ligjore dhe funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHE sh.a., duke përmendur edhe investimet në rrjetin e transmetimit, prezantim i cili u shoqërua me të dhëna sa i përket performancës së OSHE.  Prezantimi i Z.Simaku u përqendrua gjithashtu te energjia e rinovueshme ku u sollën të dhëna statistikore mbi ecurinë e trajektores së burimeve të rinovueshme, ecurinë e parqeve fotovoltaike, ecurinë e financimit të projekteve buxhetore të Drejtorisë së Energjisë së Rinovueshme, etj.  Z.Simaku e përfundoi prezantimin e tij duke trajtuar edhe eficiencën e energjisë.

Sesioni i dytë u mbajt nga Eva Hyna, Këshilltare pranë Entit Rregullator të Energjisë. Ajo foli për sistemin elektroenergjitik në Shqipëri duke prezantuar skemat e funksionimit dhe kuadrin ligjor në analizë të detajuar. U prezantua ERE si ent, objektivat dhe përgjegjësitë si edhe të drejtat e ERE. Znj.Hyna i kushtoi vëmendje edhe licensave në sektorin e Energjisë Elektrike dhe Gazit Natyror. Ajo u ndal te klientët e energjisë, kontratat që ata lidhin me operatorin dhe të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lindin prej saj, dhe kur kjo kontratë mund të ndërpritet. Në vijim znj.Hyna foli për tregun e energjisë elektrike dhe operimin në këtë treg, si edhe për parimet kryesore të tregut të energjisë.

Sesioni i tretë u mbajt ditën e shtunë, nga Meivis Struga, Oficer Programi pranë Global Water Partnership-Mediterranean. Ai paraqiti 3 raste studimore sa i përket mbrojtjes së zonave të mbrojtura nëpërmjet promovimit të energjisë së gjelbër, promovimit të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore në Europën Jug-Lindore nëpërmjet qasjes Nexus dhe rritjes së qëndrueshmërisë në nivel lokal nëpërmjet inovacionit mbi qeverisjen e të dhënave. Ndër të tjera, Z.Struga shpjegoi llojet e impianteve fotovoltaike, elementët e tyre dhe energjinë e prodhuar prej tyre dhe përfitimet ekonomike e mjedisore të kësaj energjie.

Sesioni i katërt u mbulua nga Sokol Dervishi, Dekan në Fakultetin e Arkitekturës dhe Inxhinierisë, Universiteti EPOKA. Z.Dervishi foli për eficiencën e energjisë në ndërtesa. Prezantimi u bazua në studime të realizuara mbi eficiencën e energjisë në banesa duke u bazuar në disa faktorë shumë të rëndësishëm si tipologjia e banesave, mënyra e ndërtimit, cilësia e materialeve të përdorura, ekspozimi ndaj dritës etj. Të gjitha këto elementë ndikojnë në rehatinë në banesa gjatë periudhave tepër të ftohta apo tepër të nxehta, duke reflektuar ose jo varfëri enegjie. Z.Dervishi foli gjithashtu për mënyra të përmirësimit të eficiencës së energjisë në banesa, duke shpjeguar në vijim zonat klimatike të Shqipërisë dhe përshtatjen e ndërtimeve duke u bazuar te to.

Sesioni i pestë i modulit mbi politikat e energjisë u mbulua nga Sidrit Tako, Drejtor i Drejtorisë Tregtare dhe Marrëdhënieve Rregullatore, ALBGAZ Sh.a. Ai e nisi prezantimin me historikun e prodhimit të gazit në Shqipëri, në vitin 1963, për të prezantuar më pas shoqërinë ALBGAZ dhe partnerët ndërkombëtarë të saj, projektet prioritare si Trans Adriatic Pipeline, Ionian Adriatic Pipeline, Albanian-Kosovo Gas Pipeline, etj. Z.Tako foli për zhvillimet më të fundit të kësaj shoqërie sa i përket potencialit të zhvillimit të LNG në Shqipëri, mundësitë e ndërtimit të një terminali dhe impianti rigazifikimi në portin e Vlorës, mundësi për distribucionin e Small Scale Liquified Natural Gas, etj.

Moduli i tetë u mbyll me prezantimin nga Rodon Miraj, Këshilltar i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, AIEN Alumni. Z.Miraj foli për energjinë e rinovueshme dhe diversifikimin e burimeve, duke u përqendruar te roli i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë. Në vijim ai përmendi të gjitha burimet e rinovueshme të energjisë si energjia diellore, hidrike, eolike, gjeotermike, dallgëve dhe baticave, energjia nga mbetjet, etj, duke e shoqëruar me shembuj të shfrytëzimit të këtyre burimeve.  Z.Miraj prezantoi edhe paketën e Bashkimit Europian për energjinë e pastër. Duke u bazuar në zona të ndryshme gjeografike të Shqipërisë, u fol edhe për potencialin e energjisë diellore dhe të erës. Prezantimi i tij u mbyll me një lojë interesante, gjithëpërfshirëse mbi implikimet e teknologjive të ndryshme dhe qëndrueshmërisë.