Moduli X: “Politikat Audiovizive”– Kapitulli 10: Shoqëria e Informacionit dhe Media

Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka mbajtur Moduli X: “Politikat Audiovizive”– Kapitulli 10: Shoqëria e Informacionit dhe Media. Aktiviteti u mbajt në datat 11-12 qershor, në ambjentet e Hotel Mondial, me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht dhe pjesa tjetër online, përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i dhjetë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.

Sesioni i parë u mbajt nga Anda Bologa, Eksperte Ligjore në Europlus- Centre of European Exellence. Në sesionin e parë znj. Bologa trajtoi Legjislacionin Europian për Sigurinë Kibernetike.  Gjatë prezantimit fokusi u vendos në trajtimin e legjislacionit europian bazuar në Direktivën NIS (EU 2016/1148) mbi krimin kibernetik dhe ndikimin e pandemisë Covid-19 në sigurinë kibernetike. Znj. Bologa prezantoi disa raste studimi të suksesshme dhe diskutoi mbi sfidat e së ardhmes në fushën e sigurisë kibernetike në shtetet europiane.

Në vazhdim u mbajt një sesion informues nga Resul Resulaj,  Specialist në Bashkinë e Tiranës dhe pjesëmarrës AIEN. Z. Resulaj foli mbi  Dixhitalizimin e shërbimeve publike si faktor përshpejtues në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në këtë prezantim u trajtuan kapitujt negociues, duke e vendosur theksin në dixhitalizimin e shërbimeve publike në BE; praktikat më të mira në Shqipëri dhe legjislacioni në këtë fushë. Në përfundim të prezantimit, u zhvillua një diskutim se deri ku mund të shtrihet dixhitalizimi i shërbimeve publike në Shqipëri.

Sesioni i dytë u mbajt nga Hergis Jica, Shef i Sektorit të Hetimit të Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit. Z. Jica trajtoi temën e Krimit Kibernetik në Shqipëri. Në ketë pjesë u fol mbi Strategjinë Kombëtare të krimit kibernetik në Shqipëri, duke e lidhur me rekomandimet e Komisionit Europian, përafrimi i legjislacionit shqiptar me Direktivën e BE në ketë fushë, dhe ndikimin e pandemisë në fenomenin e krimit kibernetik.

Sesioni i tretë u mbajt nga Pranvera Kastrati, Eksperte e Lartë në Ndërlidhjen Ekonomike dhe Dixhitale në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal, që trajtoi temën e Transformimit Dixhital në Ballkanin Perëndimor.  Znj. Kastrati diskutoi mbi qëllimet strategjike të reformës së dixhitalizimit (Regional Digital Area) dhe  angazhimet e arritjet në nivel rajonal që nga Deklarata e Sofies. Gjithashtu solli në vëmendje disa shembuj të nismave të suksesshme dhe sfidave për të ardhmen.

Sesioni i katërt u mbajt nga Irena Malolli nga Drejtoria e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Telekomunikacionit dhe Postave.  Në këte sesion u fol mbi detyrimet e  Shqipërsië për zbatimin dhe përmbushjen e standardeve europiane bazuar në Kapitullin 10 të EU Acquis. Znj. Malolli e vendosi fokusin e prezantimit në zhvillimin e politikave të telekomunikacionit, ndryshimet e nevojshme në ligjin për Komunikimin Elektronik në përputhje me Kodin e ri Europian të Komunikimeve Elektronike dhe miratimin e Axhendës Dixhitale.

Sesioni i pestë u mbajt nga Arben Muka, Drejtor në Drejtorinë e Programeve, AMA, i cili diskutoi mbi dixhitalizimin dhe programacionin. Në prezantimin e tij, Z.Muka përfshiu mediat dhe shërbimet audiovizive si pjesë e procesit të integrimit europian, dinamikat dhe efektet e dixhitalizimit të trasmetimeve audiovizive, mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e  dëmshme, reklamat dhe komunikimet tregtare dhe sfidat e të drejtave të autorit.

Moduli i dhjetë u mbyll me prezantimin ‘Etika në Media’ nga Koloreto Cukali, Drejtor Ekzekutiv në Këshillin Shqiptar të Medias. Z. Cukali foli mbi shkeljet e etikës në media, mënyrën e rregullimit të këtyre problemeve, Paketa Anti-Shpifje, problemet me lirinë e shprehjes, problemet me sanksionet e rënda, duke përfshirë dhe pavarësinë dhe besimin  tek AMA.