Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka mbajtur Modulin XI Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore- Kapitulli 22. Aktiviteti u mbajt në datat 18-19 qershor, në ambjentet e Hotel Mondial, me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht dhe pjesa tjetër online, përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i njëmbëdhjetë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.
Sesioni i parë u mbajt nga Lorina Misku, Koordinatore e Politikave dhe Projekteve, Kryeministri, e cila diskutoi mbi përgatitjen e Shqipërisë për Politikat Rajonale dhe Kohezionin. Në prezantimin e saj, Znj. Misku përfshiu Politikat Rajonale të BE, financimin e tyre, gjendjen aktuale të Shqipërisë në këtë fushë, ndarjen e vendit në katër rajone zhvillimi, si dhe solli raste studimore me Malin e Zi dhe Serbinë.
Sesioni i dytë u mbajt nga Sonila Muskaj, Eksperte, Ministria e Integrimit Europian, lidhur me Dallimin mes Fondeve IPA dhe Fondeve Strukturore. Znj. Muskaj u ndal në Fondin Europian për Zhvillimin e Rajoneve, prezantimin me IPA I dhe IPA II, parimet e përgjithshme dhe udhëzimet e Komisionit Europian për vendet përfituese për IPA III, procesin programues për periudhën 2020-2021 dhe përgjigjen Strategjike Kombëtare për IPA III.
Sesioni i tretë u mbajt nga Greta Gjoncaj, Shefe e Njësisë së Dizajnimit të Programeve dhe Koordinimit të Donatorëve, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Znj. Gjoncaj trajtoi Planin e Zhvillimit dhe Kohezionit në Shqipëri dhe rolin e FSHZH, duke e vendosur theksin në ligjin ‘Për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin’, politikat për zhvillimin rajonal në Shqipëri, hartimin dhe zbatimin e politikës së zhvillimit rajonal, zhvillimi rajonal si perspektivë europiane, financimi për të, institucionet përgjegjëse, etj.
Sesioni i katërt u mbajt nga Majlinda Lila, Përgjegjëse e Sektorit të projekteve IPA për Projektet e Infrastrukturës së Transportit, dhe Zana Joca (Guzja), pjesëmarrëse AIEN. Prezantimi trajtoi sfidat në zbatimin e Fondeve IPA/ Fondeve Strukturore në fushën e infrastrukturës dhe energjisë. Fokusi i prezantimit u vendos në Politikat Rajonale dhe Koordinimin e Fondeve Strukturore, historikun e mbështetjes financiare të BE, menaxhimin e decentralizuar të njësisë IPA, etj.
Moduli XI u mbyll me prezantimin e Rolit të Reformës Administrative- Territoriale në Politikat Rajonale dhe të Kohezionit nga Agron Haxhimali, Drejtor Ekzekutiv në Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Z. Haxhimali diskutoi mbi dinamikat e procesit të zhvillimit të pushtetit vendor si dhe për iniciativat dhe sfidat e Shoqatës së Bashkive të zbatuara në Bashki të ndryshme të Shqipërisë për të siguruar integrim socio- ekonomik dhe kohezion.