Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave ka mbajtur Modulin XII: Mjedisi – Kapitulli 27. Aktiviteti u mbajt në datat 2- 3 korrik, në ambjentet e Hotel Mondial, me një organizim hibrid të pjesëmarrësve, ku një pjesë e tyre e ndoqën aktivitetin fizikisht dhe pjesa tjetër online, përmes platformës Zoom. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), në bashkëpunim me Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA 2015 të Bashkimit Europian. Ky është Moduli i dymbëdhjetë nga seria prej 12 Moduleve që do të zhvillohen në edicionin e dytë të AIEN 2020-2021.
Sesioni i parë u mbajt nga Konalsi Gjoka, Ekspert i trajtimit të mbetjeve, Universiteti Politeknik, i cili trajtoi Direktivat mbi trajtimin e integruar të tyre. Z. Gjoka e fokusua në legjislacionin shqiptar për trajtimin e mbetjeve, mënyrat e trajtimit të tyre dhe infrastrukturën ekzistuese dhe të planifikuar në këtë fushë.
Sesioni i dytë u mbajt nga Narin Panariti, Konsulente e pavarur e Politikave, Integrimit dhe Legjislacionit në Ministrinë e Mjedisit. Znj. Panariti trajtoi Legjislacionin Europian të mjedisit dhe progresin e Shqipërisë në përafrimin e këtij legjislacioni. Ajo bëri fillimisht një prezantim të legjislacionit dhe direktivave europiane për mjedisin dhe më pas trajtoi rastin e Shqipërisë duke përfshirë institucionet shqiptare përgjegjëse, progresin e deritanishëm të vendit dhe legjislacionin vertikal e horizontal.
Sesioni i tretë u mbajt nga Mihallaq Qirjo, Drejtor Ekzekutiv, Qendra e Burimeve Mjedisore (REC). Z. Qirjo diskutoi për rastet praktike, fuqizimin dhe angazhimin e aktorëve të shoqërisë civile. Ai u ndal në rëndësinë e legjislacionit horizontal dhe situata para negociatave, pritshmëritë nga sektori i Shoqërisë Civile dhe infrastruktura e integruar e menaxhimit të mbetjeve.
Sesioni i katërt u mbajt nga Laureta Dibra, Drejtore e Politikave dhe Strategjive për Industrinë dhe Energjinë, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, e cila trajtoi çështjen e ndryshimeve klimatike në Shqipëri. Znj. Dibra e vendosi fokusin e trajtimit të temës në veprimtaritë e BE për ndryshimet klimatike dhe Marreveshjen e Gjelbër Europiane, kornizën institucionale dhe legjislative lidhur me ndryshimet klimatike në Shqipëri, Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën si dhe dobësitë e pengesat e kornizës legjislative dhe institucionale në këtë sferë.
Sesioni i pestë u mbajt nga Enis Tela, nga Inspektoriati i Mjedisit. Z. Tela trajtoi temën e mbrojtjes së mjedisit dhe në prezantimin e tij përfshiu parimet e mbrojtjes së mjedisit, dispozitat e legjislacionit administrativ dhe penal shqiptar, strukturat përgjegjëse inspektuese si dhe penalitetet për shkeljet civile e penale që përfshijnë çështje të mjedisit.
Moduli XII u mbyll me prezantimin e cilësisë së ajrit dhe zhurmat nga Rodion Gjoka, Instituti i Zhvillimit te Habitateve, Co- PLAN. Gjatë prezantimit të tij, Z. Gjoka u ndal në ligjet dhe aktet nënligjore që rregullojnë ajrin urban dhe shkarkimet, ligjet dhe aktet nënligjore që rregullojnë zhurmat dhe burimet e saj, autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe zhurmës në mjedis, tipologjitë e monitorimit në këtë fushë dhe mënyra e publikimit të informacionit.