Përmirësimi i marrëdhënieve dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë ndër prioritetet kryesore të Procesit të Stabilizim Asociimit të Ballkanit Perëndimor dhe paraqesin një kusht të domosdoshëm për përparimin e vendeve të rajonit drejt BE. Është bërë e qartë se pa nisur një proces që mbështet trajtimin e trashëgimisë të së kaluarës, të mbushur me konflikte, dhunë, ndarje dhe paragjykime të ndërsjella, rajoni nuk do të jetë në gjendje të ecë përpara nga situata në të cilën ka ngecur, njëzet vjet pas konfliktit të fundit të dhunshëm.
Me qëllim identifikimin e praktikave të mira, por edhe shembujve më pozitivë dhe mësimeve të nxjerra, të zbatueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, janë shkruar pesë studime të rasteve që analizojnë marrëdhënie të ndryshme bilaterale: Poloni-Gjermani, Çeki-Sllovaki, Sllovaki-Hungari, Hungari-Serbi, Serbi -Shqipëri. Qëllimi i studimit të këtyre rasteve ështe të sigurojë sfondin për rastet e dhëna, të identifikojë praktikat e mira dhe gjithashtu dështimet në pajtimin dhe normalizimin midis vendeve dhe shoqërive në proceset e tyre përkatëse të trajtimit të së shkuarës si edhe nxjerrja e mësimeve dhe rekomandimeve për vendet e Ballkanit Perëndimor në bazë të këtyre analizave.
Përveç rekomandimeve praktike dhe frymëzimit me nisma konkrete, hulumtimi i kryer në kuadër të projektit zbulon modelet e zakonshme dhe hedh dritë në shtyllat e ndërtimit të një procesi të suksesshëm të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve reciproke. Studimet tregojnë se marrëdhëniet e ndërlikuara ndëretnike dhe çështjet e minoriteteve nuk janë problem i kufizuar vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendet e tjera janë marrë me çështje të ngjashme. Përvoja e suksesshme e vendeve të Vishegradit me bashkëpunimin rajonal si dhe Integrimin Europian ndihmon më tej për të sqaruar se si dhe me çfarë kufizimesh këto dy procese, të dyja midis objektivave kryesore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të mbështesin pajtimin midis vendeve dhe komuniteteve.