
Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 14-15 korrik 2017 u zhvillua Moduli III: “Lëvizja e lirë e mallrave dhe liria për të ofruar shërbime”.
Dita e parë e Modulit III nisi me një prezantim të shkurtër nga z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s dhe znj. Mona Xhexhaj, Koordinatore e AIEN, mbi nismat e Lëvizjes Europiane në Shqipëri dhe mundësitë për përfshirje dhe bashkëpunim me pjesëmarrësit. Duke vijuar më tej me një prezantim të tematikave të përzgjedhura të Modulit nga z. Florian Xhafa, Koordinator Akademik i AIEN-së.
Sesioni i parë dhe i dytë u prezantuan nga Prof. Assoc. Dr. Endri Papajorgji jurist, avokat, ekspert ligjor dhe pedagog i mirënjohur në fushën e së drejtës me një eksperiencë mbi 10 vjeçare.
Në
sesionin e parë u pasqyrua një hyrje në liritë themelore të Traktatit të BE-së, për të theksuar tiparet e përbashkëta si pjesë e së Drejtës Europiane Private. Duke marrë një shembull krahasimi mes dy firmave të prodhimit të elektroshtëpiakeve si Gorenje dhe Bosch, ai vuri në dukje se krijimi i tregut europian dëmtoi deri diku firmat e vogla dhe lokale, si Gorenje duke ndihmuar në zgjerimin dhe fuqizimin e firmave të mëdha ndërkombëtare si Bosch. Duke krahasuar të dy liritë, atë të mallrave dhe të shërbimeve, ai theksoi që sot ekonomia europiane po shkon drejt ofrimit të shërbimeve, e cila përbën 60% të ekonomisë së një shteti europian duke i dhënë kështu më shumë fokus zhvillimit të kësaj lirie në Union. Gjatë trajtimit të sesionit të parë, z. Papajorgji bëri dhe një dallim mes Tregut të Vetëm dhe atij të Përbashkët. Për ta konkretizuar gjithë analizën dhe diskutimin u sollën në vëmendje raste praktike nga Gjykata Europiane e Drejtësisë siç ishte Komisioni Europian vs Gjermanisë mbi kufizimin e lirive themelore si dhe Vendimi Keck i marrë nga GJED. Sipas këtij vendimi u realizua një dallim mes modalitetit të Shitjes, ku BE është më tolerant dhe i ka lënë më shumë pavarësi dhe kompetencë vendeve anëtare në krahasim me Modalitetin e Produktit, i cili mbrohet nga BE duke vendosur rregulla dhe kritere më strikte.
Gjatë
sesionit të dytë u diskutua mbi lëvizjen e lirë të mallrave dhe kuadrin e brendshëm dhe atë të jashtëm si: rregullat për lëvizjen e lirë të mallrave apo politikat e përbashkëta tregtare. Duke qenë se lëvizja e lirë e mallrave shërben për të krijuar tregun e përbashkët doganor qëllimi i shumë shteteve është dhe shtrembërimi i konkurrencës me anë të tarifave në natyrë, kufizimeve sasiore dhe masave që kanë efekt të njëjtë me kufizimet sasiore. Për ta ilustruar prezantimin u sollën raste praktike nga GjED si Dassonville apo Cassis de Dijon. Më tej u trajtuan parimet themelore të së Drejtës Europiane Private duke i kushtuar rëndësi praktikës së gjykatës me anë të jurisprudencës së saj siç është rasti Van Gend&Loos dhe pasojat që ky vendim ka sjellë në sanksionimin e parimit të efektit të drejtpërdrejtë të së Drejtës së Bashkimit Europian në shtetet anëtare. Zbatimi i drejtpërdrejtë i rregullave të BE-së, sistemi i përgjegjësisë shtetërore, zbatimi horizontal i direktivës ishin gjithashtu pjesë e diskutimit. Në përfundim të sesionit, z. Papajorgji bëri një krahasim mes tipareve dhe karakteristikave të Bashkimit Europian dhe OBT-së, duke vënë në pah ndryshimet kryesore midis këtyre organizmave. Sipas tij në marrëveshjet e përbashkëta që duhet të vendosen për çdo produkt në mënyrë specifike në OBT, BE hyn gjithmonë si Union. Nga ana tjetër ndryshe nga tregu i BE-së, në OBT ka akoma taksa, masa administrative apo politika që bllokojnë importimin. Ndërkohë që BE dhe tregu i përbashkët është një realitet ekonomik, OBT është gjithmonë në ndryshim në rregulla dhe procedura.
Në ditën e dytë të modulit, të zhvilluar të shtunën më 15 korrik, sesioni i radhës, sesioni tre u zhvillua nga z. Sajmir Laçej, Drejtor i Politikave Fiskale pranë Ministrisë së Financave, i cili trajtoi lëvizjen e lirë të mallrave. Z. Laçej ka një eksperiencë të gjatë në Procedurat Doganore dhe Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë dhe pikërisht ai foli për ndryshimet e Kodit Doganor, Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë duke u fokusuar në procedurat e thjeshtuara si dhe ndikimin ekonomik. Duke u mbështetur në raste konkrete dhe në një leksion interaktiv me pjesëmarrësit, ai si fillim bëri një pasqyrim të tregtisë ndërkombëtare dhe taksave e procedurave përkatëse, e më pas foli konkretisht për Shqipërinë dhe procesin e MSA-së në vendin tonë. Sipas tij gjatë procesit të MSA-së janë hasur edhe problematika për arritjen e marrëveshjes dhe kritereve nga ana e shtetit shqiptar, duke përmendur rastin e acuges (lloj sardelje). Ndërkohë që në Shqipëri ky produkt vetëm përpunohet, pasi kapet nga flota italiane dhe dërgohet përsëri mbrapsht në Itali, gjatë negociatave shteti shqiptar kërkoi që të bënte edhe kapjen e këtij peshku. Por ndërkohë nuk ofroheshin kushtet për të realizuar këtë, pasi nuk ekzistonte flota e nevojshme dhe specifike për të bërë të mundur kapjen e tij. Raste të tjera problematike gjate negociatave të MSA-së lidheshin me ndryshimin e emërtimit të produkteve të ndryshme shqiptare, si ai i Konjak “Skënderbeu”, ku duhej të hiqej termi konjak (pasi është ekskluzivitet vetëm i rajonit të Konjakut në Francë) apo dhe të një rakie që mbante dhe emrin Grappa ( që është specifike për një zonë të caktuar të Italisë). Në këtë rast për të mbrojtur vendin e origjinës që i prodhojnë këto produkte dhe kanë ekskluzivitetin e emrit, duhet të hiqeshin nga emërtimi i produkteve shqiptare.
Gjatë
sesionit të katërt, z. Florian Xhafa, Koordinator Akademik i AIEN dhe Anëtar i Grupit Negociator për nënshkrimin e MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së u ndal gjerësisht në ndikimin që kanë masat e dallueshme dhe të padallueshme me Efekt të Njëjtë me Kufizimet Sasiore, si dhe në sigurinë ushqimore. Nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve ai shtroi disa çështje problematike në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, misionin, objektivat, përmbajtjen si dhe adoptimin e acquis. Një nga proceset më të rëndësishme të MSA-së, është ai që njihet si procesi Screening, ku analizohen të gjitha fushat e ndara në kapituj dhe vlerësohet zhvillimi i Shqipërisë, në cilat prej tyre ngjan me një vend anëtar dhe në të cilat ka nevojë akoma për punë dhe progres. Kapitulli i Bujqësisë sipas z. Xhafa mbetet një nga më të rëndësishmit, por edhe një nga kapitujt ku kërkohet shumë punë për të arritur kriteret dhe standardet e nevojshme.
Sesioni i pestë u trajtua sërish nga Prof. Assoc. Dr. Endri Papajorgji, këtë herë duke u ndalur në të Drejtën e Vendosjes dhe Lirinë për të ofruar dhe marrë Shërbime. Ai sqaroi mënyrën e përcaktimit të subjekteve që kanë të drejtë të përfitojnë nga e Drejta e Vendosjes si dhe marrëdhëniet BE&Shqipëri nën ndikimin e MSA-së, duke theksuar që sa i takon lirisë së shërbimeve MSA nuk e rregullon këtë liri, pasi ja ka lënë si kompetencë vetëm shteteve anëtare në mënyrë individuale.
Në
sesionin e gjashtë të trajtuar sërish nga Z. Florian Xhafa, u trajtua një rast konkret për vendin tonë në lidhje me detyrimet që rrjedhin nga OBT në krahasim me ato që rrjedhin nga MSA e BE-së. Në një shembull konkret të ndërmarrë nga z. Xhafa u kërkua nga pjesëmarrësit të merrej një vendim i cili do të ishte në përputhje vetëm me një nga marrëveshjet, por do të dilte në kundërshtim me marrëveshjen tjetër. Pyetja që u shtura në këtë rast ishte se cila marrëveshje do të prevalonte për Shqipërinë: ajo e MSA-së me BE-në apo ajo me OBT. Gjatë diskutimit dolën disa përfundime, ku një nga zgjidhjet ishte arsyetimi që duke qenë që detyrimi i MSA-së nuk është i drejtpërdrejtë për Shqipërinë, atëherë nuk mund të prevalojë ndaj OBT-së.