Moduli IV: “Lëvizja e Lirë e Personave”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 15-16 shtator u zhvillua Moduli IV: “Lëvizja e lirë e personave”, me fokus lëvizjen e lirë të personave dhe të punonjësve brenda Bashkimit Europian.

Moduli IV nisi me një prezantim të shkurtër nga Aida Bushati, Koordinatore e AIEN dhe eksperte ligjore, mbi nismat e EMA-s dhe një prezantim të përgjithshëm të çështjeve mbi të cilat do të organizohej Moduli dhe të lektorëve që do t’i trajtonin ato. Moduli në ditën e parë në fokus kishte lëvizjen e lirë të personave dhe direktivat mbi të cilat mbështetet, ndërsa në ditën e dytë theksi u vendos në lëvizjen e lirë të punonjësve dhe zbatimi i MSA-së në Shqipëri.

sesionin e parë fokusi ishte një hyrje mbi atë se çfarë konsiderohet qytetari europiane dhe të drejtat që burojnë nga shtetësia. Ky sesion u drejtua nga Dr. Zlatan Meškić, Zëv/Dekan për Kërkimin Shkencor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Zenicas. Dr. Zlatan është profesor i asocuar i së Drejtës Europiane dhe së Drejtës Ndërkombëtare Private në Universitetin e Zenicas. Ai ka PHD në shkenca ligjore në Universitetin e Vjenës si dhe është lektor në disa universitete europiane ku si dhe kryeredaktor i një reviste juridike.

Lëvizja e lirë e personave u trajtua prej tij duke bërë një paralelizëm mes lirisë së lëvizjes në nivel kombëtar dhe asaj në nivel europian. Trajtimi i sesionit ishte një ndërthurje mes aspekteve teorike dhe atyre praktike duke sjellë shembuj nga juridiksioni i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Të drejtat specifike që lidhen me shtetësinë e BE-së u bazuan në dispozitat referuese te Traktatit ku një rol thelbësor luan dhe ndalimi i diskriminimit në bazë të kombësisë. E gjithë analiza filloi mbi atë se kush konsiderohen shtetas të shteteve anëtare, diskriminimin direkt/indirekt duke specifikuar diferencat mes tyre si dhe lidhjen mes mos-diskriminimit dhe shtetësisë. Lektori specifikoi në mënyrë të prerë se shtetësia e BE-së është një shtetësi shtesë dhe e ndryshme nga ajo kombëtare dhe nuk e zëvendëson këtë të fundit.

Shtetësia e BE-së lidhet me 4 të drejta që janë: lëvizja dhe qëndrimi i lirë, të drejtat e votimit, mbrojtja diplomatike, të drejtat e peticionit pavarësisht pengesave të vendosura nga vendi i origjinës dhe ai i destinacionit. Secila prej të drejtave u analizua në mënyrë të plotë duke mos lënë jashtë vëmendjes çështje të ndryshme të ndërlidhura. Sesioni u trajtua në mënyrë interaktive me pjesëmarrësit duke bërë pjesë të diskutimit disa nga çështjet më të rëndësishme jurisprudenciale që lidhen më mënyrë të pandarë me këto të drejta si Bickel und Franz, Hayes apo Grzelczyk. Me anë të shembujve praktikë nga jurisprudenca u theksua dhe evoluimi që kanë pësuar këto të drejta si rrjedhojë e interpretimeve gjyqësore.

Sesioni i dytë i modulit u trajtua nga lektorja Fjoralba Caka, Pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit të Tiranës me fokus lëvizjen e lirë të personave dhe Direktivën 2004/38. Fjoralba, aktualisht kandidate e PhD është lektore në disa lëndë në Fakultetin e Drejtësisë të lidhura me të Drejtën Europiane. Si eksperte e fushës ajo ka kryer trajnime të ndryshme dhe ka realizuar kërkime shkencore. Ky sesion u fokusua në analizimin dhe trajtimin e Direktivës 2004/38 dhe konkretisht mbi atë se çfarë konsiderohen anëtarë të familjes për shkak të keqinterpretimeve të hasura në praktikë. Pjesë e diskutimit ishte dhe fakti se kush janë përfituesit apo kur aplikohet ligji i BE-së lidhur me qytetarët e BE-së që ushtrojnë lëvizjen e lirë duke mos e lidhur me lëvizjen fizike nga një shtet anëtar në tjetrin. Rastet nga jurisprudenca ishin të shumta dhe interesante si rasti Zhu dhe Chen, Garcia Avello, Schempp dhe Rottman ku vetë gjykata u shpreh se për të përfituar nga lëvizja e lirë nuk është e domosdoshme të lëvizësh fizikisht, por mjafton një “element ndër-shtetëror”. Zhu dhe Cen ishin dy shtetas kinezë që u vendosën në Britani për shkak të punës së z. Zhu në vendet e BE-së dhe në një prej udhëtimeve znj. Cen lind një vajzë dhe kërkoi që dhe asaj dhe vajzës ti njihen të drejtat e qëndrimit bazuar në nenin 21. Duke qenë që e bija nuk kishte të ardhura të mjaftueshme dhe sigurime shëndetësore të saja personale pasi ishte e mitur ishte vetë gjykata që i njohu të drejtën e qëndrimit dhe familjarëve. Nuk është e nevojshme që këto të ardhura të sigurohen nga vetë individi, në këtë rast vajza ishte e mitur, por ka rëndësi që të ketë të ardhura pavarësisht burimit.

Me shtetësinë e BE-së kanë të drejtë të lëvizin dhe familjarët duke qenë se përfitojnë të njëjtat të drejta. Duhet të bëhej e qartë diferenca mes një situate tërësisht të brendshme dhe asaj që i përkiste një niveli europian dhe për këtë u soll në vëmendje rasti Zambrano, ku një familje kolumbiane lind fëmijën i cili mbetet pa shtetësi, duke ‘detyruar’ autoritet europiane ta bëjnë shtetas të BE-së. Kufizimi i lëvizjes së qytetarëve të BE-së ishte një tjetër çështje që u trajtua duke qenë se këto të fundit nuk mund ti gëzojnë të drejtat pa limit. E rëndësishme është që këto të drejta të mos kufizohen duke cenuar thelbin e së drejtës dhe padyshim duhet të jenë proporcionale.

Sesioni tre dhe katër mbi lëvizjen e lirë të punonjësve bazuar në TBE si dhe tregu i punës u trajtuan nga Ass.iur. Mareike Fröhlich LL.M., Koordinatore Projekti dhe Kërkuese Shkencore pranë Institutit Europian, Universiteti i Saarland. Mareike ka një eksperiencë të gjatë në fushën e së Drejtës Europiane duke qenë se është diplomuar dhe ka kryer studime të thelluara për aspekte të ndryshme të së Drejtës Europiane. Kjo eksperiencë u reflektua dhe në analizimin e lëvizjes së punonjësve bazuar në nenin 45 të TBE duke treguar një pasqyrë të përgjithshme si dhe përfitimet apo të drejtat që lidhen me këtë liri. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ishte pjesë e diskutimit për shkak dhe të interesit të pjesëmarrësve për tu njohur me aspekte specifike të saj. Tema që shkaktoi më shumë diskutim ishte mundësia për qasjen në tregun e punës së BE-së dhe për këtë u trajtua si rast praktik shembulli Gjerman. Gjermania si një nga vendet me potencialin më të lartë ekonomik ndër vite ka qenë dhe mbetet një nga tregjet e punës më të kërkuara jo vetëm nga shtetasit e Bashkimit Europian, por dhe nga jo komunitarët. Për tu qasur në këtë treg punë janë vendosur kufizime të forta, por gjithsesi është lehtësisht i aksesueshëm nëse plotësohen kushtet e vendosura. Gëzimi i lëvizjes së lirë së punonjësve është një gëzim gradual ndaj është e nevojshme dhe kalimi i një periudhe tranzicioni. Si shembuj u trajtuan përvoja bullgare, rumune dhe kroate ku ishte e domosdoshme kalimi i një periudhe tranzicioni.

sesionin e pesë dhe gjashtë u trajtuan detyrimet e anëtarësimit që rrjedhin nga Kapitulli 3 lidhur me lëvizjen e lirë të punonjësve duke sjellë dhe shembuj praktikë. Lektorë të këtyre sesioneve ishin Dr. Aida Bushati, Koordinatore e AIEN dhe Eksperte Ligjore mbi BE-në si dhe Alban Haxhi si përfaqësues i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Z. Bushati ka një eksperiencë të gjatë si eksperte e së Drejtës Europiane duke u përfshirë në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Eksperienca e saj akademike si dhe mbajta e titullit Doktor në Shkencat Juridike u pasqyruan dhe në trajtimin e tematikave të trajtuara prej saj. Lektorët trajtuan lëvizjen e lirë të punonjësve dhe MSA-në duke e lidhur dhe me gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria. Siç u theksua dhe nga Dr. Bushati në këtë fazë është e domosdoshme kalimi i një faze tranzicioni duke parandaluar një dyndje punonjësish sapo të hapen kufijtë, si dhe për të trajnuar punonjësit në mënyrë që të ruhet i njëjti standard si për vendet e BE-së. Pjesë e analizimit ishte dhe roli i CEFTA-s në lëvizjen e lirë, nëse na kufizon apo jo. Z. Haxhi si specialist i migrimit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe si rezultat i pjesëmarrjes në përgatitjen e informacioneve dhe analizave në hartimin e strategjive, legjislacionit dhe politikave në çështjet e migrimit solli eksperiencën e tij të gjatë në këtë fushë. Z. Haxhi u përqendrua dhe në një nga problematikat thelbësore të vendit tonë siç janë grumbullimi i sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptar që kanë punuar në disa vende. Janë nënshkruar disa marrëveshje me disa shtete europiane për njohjen dhe grumbullimin e tyre, por vazhdojmë të mos kemi një marrëveshje me Greqinë dhe Italinë që përbëjnë dhe vendet me numrin më të madh të punonjësve shqiptarë.

Përafrimi i legjislacionit të BE-së me atë shqiptar bazuar në kapitujt 23 dhe 24 ishin pjesë e diskutimit me pjesëmarrësit si dhe direktivat që duhen njohur. Për arritjen e këtyre rezultateve, të përafrimit të legjislacioneve është e domosdoshme që vendi ynë të ketë mundësitë financiare dhe strukturore. Legjislacioni për të huajt është një pikë kyçe ku nevojitet përafrimi me direktivën përkatëse të BE-së. Si përfundim lektorët bën të qartë diferencën mes ofruesve të shërbimeve dhe punonjësve duke qenë se kanë një trajtim të ndryshëm dhe rregullohen ndarazi nga njëra-tjetra.

Moduli IV u shoqërua me diskutime, komente e sugjerime nga pjesëmarrësit, përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademisë, medias dhe organizatave të shoqërisë civile