Moduli II: “Ndihma Shtetërore dhe Konkurrenca”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 12-13 maj u zhvillua Moduli II: “ Ndihma Shtetërore dhe Konkurrenca” , me fokus Kapitullin 8 të Procesit të Negociatave BE-Shqipëri.

sesionin e parë fokusi ishte në kuadrin ligjor në fushën e konkurrencës dhe bashkëpunimi me sektorin privat. Ky sesion u prezantua nga znj. Alma Sinanaj, inspektore e Sektorit të Përqendrimeve, e cila punon pranë Autoritetit të Konkurrencës që prej vitit 2008. Znj. Sinanaj është diplomuar në të Drejtë Europiane pranë universitetit të Romës “La Sapienza” me 2006 dhe ka përfunduar studimet master pranë universitetit të Romës “Tor Vergata” në 2008. Ajo operon në fushën e së drejtës së konkurrencës, konsumatorit, pronësisë e markave intelektuale. Ajo prezantoi Raportin e Komisionit Europian 2016 mbi progresin e Shqipërisë në Kapitullin 8, si dhe analizoi objektivat e ligjit të konkurrencës. Gjithashtu znj. Sinanaj mori në shqyrtim programin e lehtësimit nga gjobat dhe vuri theksin mbi tre shtyllat e ligjit (marrëveshje, pozita dominuese dhe përqendrimet) të vëna përballë sanksioneve sipas ligjit përkatës.

Sesioni i dytë u fokusua mbi marrëveshjet që shtrembërojnë tregun, konkurrencën e lirë e abuzimet me pozitën dominuese. Ky sesion u zhvillua nga Doc. Fjoralba Caka, lektore e së Drejtës Europiane dhe Politikave të BE-së në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Znj. Caka ka një Master të Nivelit të Dytë në të Drejtën e Biznesit të Bashkimit Europian dhe ka qenë hulumtuese pranë Institutit Max Planck për të Drejtën Ndërkombëtare Krahasuese dhe Ndërkombëtare (2012).). Në sesion ajo hodhi një vështrim të përgjithshëm mbi nenin 101 dhe 102 të TFBE duke e konkretizuar me praktikën gjyqësore dhe duke analizuar secilin prej tyre e duke ngritur në këtë mënyrë diskutime dhe pyetje.

Në ditën e dytë të modulit, të zhvilluar të shtunën në 13 maj, sesioni e radhës, sesioni tre u zhvillua nga Prof. Conor Quigley nga Universiteti i Oxfordit dhe specialist për 30 vitet e fundit në Bashkimin Europian, Ligjin e Konkurrencës dhe në ligjin e BE-së për ndihmën shtetërore. Ai ka qenë pjesë e disa prej rasteve kryesore gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Gjykatën e Përgjithshme të Bashkimit Evropian dhe në Gjykatën e Drejtësisë. Ai foli për nocionin e ndihmës shtetërore që shtrembëron konkurrencën në BE dhe shpjegoi ndarjen e kategorive të ndihmës shtetërore. Gjithashtu u fokusua se kur një shtet anëtar i atribuohej ndihma dhe se kur kjo e fundit kthehej me tipare selektive. Në fund Prof. Quigley tregoi avantazhet ekonomike që disa kompani përfitojnë prej shtetit, efektin që ato kanë në treg dhe si ndikon konkurrenca në të tilla raste.

sesionin e katërt Prof. Quigley trajtoi temën e ndihmës shtetërore kombinuar me taksimin. Ai u ndal gjerësisht në autonominë fiskale, taksimin e kompanive multinacionale dhe lidhjen e tyre me ndihmën shtetërore. Më pas në nivel krahasues u vendosën parimi i çmimit të tregut dhe ndihma shtetërore e ndërsjellë duke u trajtuar me raste të ndryshme nga praktika europiane si McDonalds dhe Starbucks.

Sesioni i pestë dhe i gjashtë u trajtuan nga Doc. Fjoralba Caka e cila nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve shtroi disa çështje problematike në zbatimin e rregullave të ndihmës shtetërore në Shqipëri. Doc. Caka diskutoi edhe për ndihmën shtetërore në vendet e Europës Juglindore në fokus të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përafrimit të ligjit për ndihmën shtetërore në EJL, rëndësisë dhe pavarësisë së autoritetit kombëtar në lidhje me të. Sesioni i fundit përfshihu në diskutim edhe pjesëmarrësit, ku një rol të rëndësishëm luajti dhe përfaqësuesja nga Autoriteti i Konkurrencës, e cila sqaroi më praktikisht punën konkrete të këtij autoriteti duke marrë në konsideratë dhe duke analizuar disa raste gjatë viteve të fundit në Shqipëri.

Sesionet u moderuan nga Koordinatorja e Akademisë së Integrimit dhe Negociatave znj. Mona Xhexhaj. Moduli II u shoqërua me diskutime e komente nga pjesëmarrësit, përfaqësues të institucioneve shtetërore, akademisë, medias dhe organizatave të shoqërisë civile.