Akademia për Integrimin Europian dhe Negociatat në bashkëpunim me Institutin EUROPEUM për Politikat Europiane dhe partnerët rajonalë, të mbështetur nga Fondi i Visegrad, organizuan një panel diskutimi me tematikën "Proceset e pajtimit në vendet e Vishigradit: Kapërcimi i ndasive dhe mësimet e marra". Ky event u zhvillua në Tiranë më 18 nëntor 2019 dhe mblodhi përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave rajonale që merren me proceset e pajtimit në Ballkanin Perëndimor, së bashku me përfaqësues të institucioneve shtetërore, OJF rajonale dhe kombëtare, akademikë, studiues dhe ekspertë të fushës.
Ky panel synoi të promovonte një qasje rajonale për përmirësimin e procesit të pajtimit në Ballkanin Perëndimor, si dhe të mbështeste pjesëmarrjen më të gjerë të palëve të interesuara për një konsensus më të gjerë shoqëror. Qëllimi i përgjithshëm i kësaj iniciative ishte ndërtimi i një procesi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës pajtimi në Ballkanin Perëndimor, duke e konsideruar këtë proces si një gur themeli për zgjerimin e marrëdhënieve socialo-ekonomike midis shoqërive vendore.