
U zhvillua më 19-20 shkurt 2018 në Tiranë, aktiviteti Përmbyllës i Ciklit të parë të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) 2018. Në këtë aktivitet morën pjesë si 53 pjesëmarrësit e ciklit të parë të AIEN, ashtu dhe përfaqësues të lartë të politikës shqiptare, përfaqësues të huaj, akademikë, shoqëri civile dhe grupe të tjera interesi.
Fjalën hyrëse e mbajti z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri. Ai prezantoi këtë program të financuar nga Erasmus + i Komisionit Europian që synon forcimin e dialogut mes akademisë, shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore për sa i përket procesit të integrimit europian dhe negociatave për anëtarësim. Në AIEN kanë qenë prezentë shumë lektorë të vendeve nga BE-ja apo Ballkani, apo ekspertë nga Shqipëria dhe janë trajtuar kapituj të negociatave si ndihma shtetërore, liria e lëvizjes, konkurrenca, kërkimi shkencor etj. që janë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për detyrat e saj të ardhshme në momentin që do të hapen bisedimet.
I ftuar në këtë aktivitet ishte dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati i cili theksoi faktin se ndonëse në BE nuk është më i njëjti entuziazëm për zgjerimin e BE-së si në 2004, qytetarët e Shqipërisë në veçanti e dëshirojnë integrimin në BE. Për z. Bushatin, strategjia e Zgjerimit publikuar nga Komisioni Europian më 6 shkurt 2018, nxjerr mësime nga të gjitha proceset e tjera të zgjerimit para se këto vende të anëtarësohen. Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit pati mjaft pyetje. Pyetjes se si mund të jetë përfaqësimi më i madh i universiteteve, por edhe i shoqërisë civile në tërësi, në procesin dhe skuadrat negociuese, z. Bushati përgjigjet se sipas eksperiencave të vendeve të tjera për të janë evidentuar individë nga fusha të ndryshme, që e mbështesin këtë proces nga këto grupe interesi. Në lidhje me pyetjen nëse administrata është e gatshme për të përballuar procesin e negociatave, sipas ministrit, nuk ka një përgjigje përfundimtare, sepse procesi është në ndryshim dhe kërkon gjithmonë angazhim dhe përkushtim. Në procesin e bisedimeve, administratës i krijohet mundësia për të mësuar, kuptuar natyrën dhe gamën e çështjeve me të cilat ajo do të duhet të merret.
Paneli I: Roli i Parlamentit të Shqipërisë në Procesin e Integrimit në BE
Paneli i parë tematik i AIEN, kishte në fokus rolin e Parlamentit të Shqipërisë në procesin e Integrimit Europian dhe vetë Këshillit Kombëtar të Integrimit, moderuar nga Mona Xhexhaj, Koordinatore e AIEN.
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ish-Ministrja e Integrimit, znj. Klajda Gjosha, u shpreh se partitë gjithnjë kanë qenë pro integrimit të vendit në BE, por më e rëndësishmja është që qytetarët shqiptarë të jenë po ashtu në favor, pasi integrimi do të përmbajë edhe një sërë reformash të dhimbshme të cilat do të prekin jetën e tyre. Ajo përmendi mekanizmat e parlamentit për të kontrolluar qeverinë dhe punën që ajo bën me plotësimin e kritereve si: Komisioni i Integrimit Europian, i cili merret me monitorimin hap pas hapi të kritereve; Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, i krijuar në 2015 i marrë nga modelet e krijuara të rajonit dhe të vendeve të BE-së. Roli i tij nuk është vetëm këshillues, por dhe i bashkimit të grupeve të interesit, duke bërë bashkë politikën me institucione të shoqërisë civile, biznesit, medias etj.; Grupi parlamentar (SAPC) zhvillon takime së bashku me parlamentin europian, prej të cilit dalin rekomandimet për Shqipërinë dhe diskutohet për ecurinë e procesit. Ky grup bën dhe rekomandime tek Komisioni Europian se si duhet të jetë raporti i radhës.
E pyetur mbi takimin e 12-të të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, për mënyrën se si i shikon të dyja palët për vazhdimësinë më pozitive drejt integrimit, znj. Elisa Spiropali deputete e Partisë Socialiste, u përgjigj se në Shqipëri nuk flitet mjaftueshëm me qytetarët, me grupet e interesit se çfarë nënkupton procesi i integrimit për ta. Sipas saj Komisioni i Integrimit dhe Komiteti i Përhershëm i Stabilizim Asocimit kanë detyra të përcaktuara. Integrimi europian është një interes kombëtar për Shqipërinë. Ajo e përmbylli fjalën e saj duke thënë se integrimi është një zgjedhje dhe është në dorë të udhëheqësve politikë për të treguar përkushtimin që kanë ndaj integrimit europian.
Pas diskutimit të dy anëtareve të kuvendit, ato u pyetën nëse është bërë një sondazh, i ngjashëm më atë që shprehte dëshirën e shoqërisë për të qenë pjesë e BE-së, mbi informimin e qytetarëve për detyrimet e shtetit Shqiptar në kuadrin e procesit të anëtarësimit dhe mbi detyrimet që kanë vetë qytetarët dhe pasojat në kontekstin ekonomik. Znj. Spiropali shprehet se grupet e interesit dhe qytetarët duhet të informohen më gjerësisht rreth procesit ku media ka një rol shumë të rëndësishëm. Znj. Gjosha u shpreh se parlamenti apo institucionet që ndërmarrin rolin për të informuar, duhet të zbresin në terren për të shpjeguar situatën. Një model për tu ndjekur nga vendet më të zhvilluara të BE-së është Strategjia e Komunikimit, e cila prek të gjitha grupet e interesit duke u shpjeguar të drejtat dhe përgjegjësitë në momentin kur Shqipëria të jetë pjesë e BE-së.
Paneli II: Forcimi i Kapaciteteve të Administratës Publike dhe Shoqërisë Civile gjatë Procesit të Integrimit në BE: Diskutimi i përvojave nga Rajoni
Në panelin e dytë të diskutimit moderuar nga Nirvana Deliu, EMA ishin të ftuar përfaqësues të Ballkanit Perëndimor nga shoqëria civile dhe administrata publike.
Znj. Venera Hajrullahu, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Kosovar për Shoqërinë Civile u shpreh entuziaste për konferencën si dhe për faktin që nisma e ndërmarrë nga organizata e saj- Shkolla Europiane, ka shërbyer si model frymëzimi për AIEN. Strategjia e këtij viti sipas saj konfirmon integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor, por gjithashtu tregon edhe për të gjitha vështirësitë që do të hasim. Ajo u shpreh që vendet e Ballkanit asnjëherë nuk e kanë shfrytëzuar të gjithë lëvizshmërinë shoqërore për ta shtyrë axhendën europiane përpara. Sa i përket rolit të administratës publike ajo theksoi sa ajo mban peshën kryesore për proceset e reformimit që ndërlidhen me axhendën europiane, por Shkolla Europiane u dedikohet edhe sektorëve te tjerë që janë media, shoqëria civile dhe biznesi.
Znj. Nataša Dragojlović, Lëvizja Europiane në Serbi e pyetur dhe për një mekanizëm të ngritur për një kohë shumë të gjatë në Serbi si Konventa për Integrimin Europian, shprehet se situata në Serbi sa i përket aspiratës për integrimin europian nuk ngjason me atë në Shqipëri. Qytetarët e Serbisë janë të dyzuar mes dëshirës për integrimin europian dhe Rusisë. Gjithsesi përmes punës së Konventës dhe grupeve të punës, janë mbledhur së bashku më shumë se 700 organizata anëtare të ndara në 21 grupe pune të cilat ndjekin të 35 kapitujt për tre vite tashmë. Gjithashtu vetë qytetarët mund të japin mendimin e tyre dhe për herë të parë, qeveria është e detyruar të përgjigjet me shkrim nëse i pranon ose nëse i refuzon sugjerimet që i bëhen dhe arsyen pse
Muhamed Halili, nga Lëvizja Europiane në Maqedoni fillimisht foli për rrugëtimin e Maqedonisë që prej shkëputjes nga Jugosllavia dhe situatën jo shumë pozitive ajo gjendet tani, si çështja e emrit dhe fakti që duket se integrimi euroatlantik ka ngecur këto vitet e fundit. Ai vlerësoi se: ” BE nuk ka qenë shumë i drejtë në përfshirjen e disa vendeve në familjen e madhe të BE, por tashmë erdhën në përfundimin se edhe vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë të integrohen.” Vitet e fundit ka pasur edhe një përparim të administratës publike dhe shoqërisë civile. Sa i përket Konventës për Integrimin Europian që ka filluar të zbatohet në Maqedoni në dhjetor 2017, ai shprehet që është akoma fillimi, por duket që puna po ecën mirë dhe ka pritshmëri të larta për rolin e këtij mekanizmi në Integrimin Europian të shtetit maqedonas.
Fatmir Demneri, Drejtor i Shkollës së Administratës Publike në Shqipëri shpjegoi institucionin të cilin drejton dhe më pas pasqyroi veprimtarinë deri më tani. Kështu sipas tij ai është i vetmi institucion buxhetor i cili ka për synim zhvillimin e njohurive dhe aftësive të punonjësve të administratës civile në përgjithësi në përmbushjen e misioneve të institucioneve të tyre me qëllimin madhor integrimin në BE. Ai përmendi disa nga bashkëpunimet e ASPA me organizatat e shoqërisë civile, si për shembull platforma e-learning dhe e-library. Në kuadër të aktiviteteve të ASPA numërohen rreth 350 ditë trajnimi ku pjesa me e madhe ka pasur në fokus integrimin në BE. Z. Demneri iu përgjigj pyetjes nga një prej pjesëmarrësve të AIEN, njëkohësisht përfaqësues i Bashkisë së Tiranës për zgjerimin e trajnimeve dhe zhvillimeve profesionale, sipas Strategjisë së Reformës së Administratës Publike deri në 2020, planifikohet rritje e peshës së trajnimeve në kuadër të integrimit Europian dhe ndryshime në mënyrën e organizimit dhe menaxhimit.
Paneli III: Konkurrenca dhe Ndihma Shtetërore
Moderuar nga znj. Ersida Teliti, pjesëmarrëse e AIEN dhe drejtuese ekzekutive e Qendrës Shqiptare të Konsumatorit, paneli i tretë konsistoi në diskutimin mbi Konkurrencën dhe Ndihmën Shtetërore.
Folësja e parë ishte znj. Juliana Latifi, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës në Shqipëri. Ajo bëri një pasqyrë të institucionit për vitin 2017, duke pasur në fokus tregjet më kryesore dhe rolin që ka Autoriteti si një lider i kapitullit të 8-të në MSA, kapitull ky i përfshirë në një nga modulet e AIEN. Gjatë fjalës së saj, znj. Latifi u ndal në 3 drejtime. Së pari, ajo foli mbi rolin e Autoritetit të Konkurrencës në kuadrin e Integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në miratimin e një kuadri ligjor sekondar. Së dyti, ajo u ndal mbi tregjet ku ka ushtruar veprimtarinë e tij ky institucion, që konsiston në monitorimin dhe hetimin e tregjeve. Autoriteti ka monitoruar në vitin 2017 tregjet në sektorin bankar, në importin dhe depozitimin e gazit të lëngshëm, sektorin e telefonisë celulare etj. Ndër tregjet kryesore që u morën në hetim nga institucioni ishin tregu i telefonisë celulare, tregu me pakicë i shërbimit celular, tregu në sektorin bankar, tregu i shfaqjes së filmave në kinema në Tiranë dhe tregu i transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve në portin e Vlorës. Së treti ajo u ndal mbi advokacinë e konkurrencës dhe vlerësimin e akteve ligjore dhe nënligjore ku Autoriteti ka vlerësuar veçanërisht aktet e Ministrisë së Energjetikës dhe Transportit.
Diskutimi vazhdoi me znj. Kletia Noti që punon pranë studios ligjore Grimaldi, në Bruksel, e cila dha një panoramë të përgjithshme të rasteve dhe praktikave që ndiqen nga BE në lidhje me konkurrencën. Ajo u fokusua në tre çështje mbi abuzimin e pozitës dominuese në sektorin dixhital, të cilat janë hetuar dhe marrë në shqyrtim nga Komisioni Europian midis viteve 2014 dhe 2017 – “Google Shopping”, “Amazon Books” dhe çështja e patentave esenciale në rastet Samsung dhe Google Motorola. Në këto çështje parashtrohen angazhime nga kompanitë që hetohen nga Komisioni, siç mund të jenë masa që merren fillimisht nga kompanitë tek Autoritetet e Konkurrencës, ndryshime në procedurë nga Komisioni, asistime me ankimuesit që bëhen nga
Gjatë panelit të 3-të, prezente ishte dhe znj. Fjoralba Caka, Pedagoge në Fakultetin Juridik, Universitetin e Tiranës, e cila dha një panoramë të aspekteve të ndihmës shtetërore në kuadër të parashikimeve të Legjislacionit Shqiptar, aspektet praktike të ndihmës shtetërore dhe disa raste konkrete nga Shqipëria. Sipas Legjislacionit të BE-së, ekzistojnë 3 kategori të ndërhyrjes shtetërore në treg, ndihma shtetërore e palejueshme, që mund të lejohet dhe e lejueshme. Ndihma shtetërore e palejueshme konsiston në transferimin e burimeve shtetërore tek disa ndërmarrje të zgjedhura në treg, duke i dhënë pozitë favorizuese. Ndihma e lejueshme është ajo që jepet për konsumatorët individualë, siç janë shtresat në nevojë, studentët apo për rastet kur ndodh një fatkeqësi natyrore. Ndihma që mund të lejohet ka tendenca që ta çrregullojë tregun, por vlerësohet nga Komisioni Europian nëse ka një qasje kompensuese. Shembuj janë ato që jepen për vendet me zhvillim të ulët ekonomik dhe papunësi të lartë, apo për projekte me interes të përbashkët Europian. Gjykata Europiane konsideron gjithashtu ndërhyrje jo vetëm rastet pozitive siç janë subvencionet, grantet apo blerja e aksioneve në kompani, por dhe raste negative dhe përjashtuese, siç janë falja e borxheve apo përjashtimi nga taksat. Problematikat e Rajonit në aspektin e ndihmës shtetërore, znj. Fjoralba Caka i trajtoi në dy aspekte. Aspekti i parë ka të bëjë me përafrimin e legjislacionit të vendeve respektive me legjislacionin e BE-së dhe gabimet që bëhen gjatë këtij rregullimi dhe aspekti i dytë, me strukturën që kontrollon ndihmën shtetërore, e cila duhet të jetë e pavarur nga shteti.
Paneli IV: Katër Liritë Themelore
Paneli i katërt u moderua nga z. Alban Tartari, pjesëmarrës i AIEN dhe pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Diskutimi u ndal mbi 4 liritë themelore dhe përafrimin e legjislacionit dhe mbi lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe lirinë për të ofruar shërbime si dhe mbi sfidat e sistemit ligjor shqiptar.
Prezantimi nisi me z. Florian Xhafa, Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Politika dhe Ligj (IPL), i cili foli mbi përafrimin me Legjislacionin Europian, duke përmendur procesin “Screening”. Për lëvizjen e lirë të mallrave, z. Xhafa përmendi përputhshmërinë ndërmjet detyrimeve që lindin nga procesi i Stabilizim – Asociimit për përafrimin e legjislacionit dhe si lidhet me të drejtën ndërkombëtare, kryesisht me atë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Në momentin që Shqipëria do të fillojë procesin e anëtarësimit, vendi do të duhet të harmonizojë përplasjet ligjore të dy marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara. Z. Xhafa u shpreh se IPL-ja ka marrë angazhimin e njëanshëm që të bëjë përafrimin me legjislacionin europian. Sipas tij, përafrimi i legjislacionit nuk ka vetëm kontekst ‘proteksionist’ ndaj produkteve të huaja që vijnë në vendin tonë, por ka dhe efekt kufizues ndaj mundësisë që produktet Shqiptare të aksesojnë tregun Europian. Në përmbyllje të fjalimit të tij, ai theksoi se procesi i përafrimit të legjislacionit duhet të paraprihet nga vlerësimi i impaktit të politikave dhe vlerësimit të ndikimit rregullator dhe se këto vlerësime janë ato që e bëjnë të mundur aksesin nga publiku, në mënyrë që kur një akt të bëhet pjesë e normës, bëhet dhe i pranueshëm nga shoqëria.
Paneli procedoi me z. Roden Pajaj, Drejtor i Burimeve Njerëzore në Deloitte Shqipëri dhe Kosovë. Z. Pajaj foli për lëvizjen e lirë të punonjësve, e lidhur ngushtë me lirinë e vendosjes dhe lirinë e shërbimeve, dhe për të drejtat themelore që mund ti ofrohen punonjësve Shqiptarë për të punuar në një vend anëtar të BE-së pa pengesa ligjore. Sipas tij, në momentin kur Shqipëria do të anëtarësohet në BE, punonjësit, si njësi ekonomike lëvizëse që ofrojnë shërbime dhe si subjekt i të drejtave themelore të njeriut, nuk do të ndalohen nga e drejta për të lëvizur midis shteteve anëtare për arsye punësimi. Z. Pajaj shprehu se Shqipëria ka nevojë të disponojë një forcë pune të shëndoshë dhe planet strategjike duhet të synojnë që forca e punës të përqëndrohet dhe zhvillohet në vend, që në të ardhmen vendi të plotësojë detyrimet që i kërkohen për të qenë vend anëtar i BE-së. Duke u mbështetur në studimet e Bankës Botërore, ai përfundoi duke thënë se, për të arritur standardin minimal të vendeve të BE-së, Shqipëria duhet ta ketë rritjen ekonomike minimalisht 4%, gjatë gjithë periudhës së parashikuar për tu anëtarësuar, e cila do të mundësohet falë kapitalit njerëzor që punon brenda vendit.
Në vazhdim të diskutimit, folës ishtë z. Altin Fuga, Drejtues i Njësisë për Politikat Sektoriale në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Z. Fuga theksoi gjithashtu se Shqipëria i disponon kapacitetet për të bërë të mundur përafrimin e legjislacionit me atë Europian, duke mbështetur mendimet e diskutuara më parë në këtë panel. Ashtu si për Shqipërinë, por dhe për vetë Bashkimin Europian, realizimi me sukses i katër lirive themelore është ende një punë në proces, sic është liria e ofrimit të shërbimeve, ku shumë shërbime nuk ofrohen ose ka vështirësi në realizimin e tyre në praktikë. Përsa i përket lëvizjes së lirë të mallrave, z. Fuga shprehu se janë hasur disa problematika gjatë zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim – Asocimit, të cilat kanë të bëjnë me skanimin e mallrave hyrës në Shqipëri dhe në aplikimin e dy fashave të akcizës për pijen alkoolike në Shqipëri. Mbi lëvizjen e lirë të kapitalit, ai tha se kjo liri është e plotë, me kufizimin e vetëm që është ndalimi i shitjes së pronave të paluajtshme tek qytetarët e BE-së.
Paneli V: Fondet e BE-së dhe mundësitë për grante për rajonin e Ballkanit Perëndimor
Paneli i fundit, i moderuar nga z. Gentian Xhaxhiu, pjesëmarrës i AIEN dhe Drejtues i Njësisë për Bashkëpunim Territorial në Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, bëri një prezantim të shkurtër të diskutimit mbi fondet e BE-së dhe mundësitë për grante për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Folësi i parë i panelit ishte z. Gjergj Murra, Drejtor Ekzekutiv i Fondit për Ballkanin Perëndimor (WBF). Hapjen e diskutimit z. Murra e bëri duke theksuar rëndësinë që kanë fondet e BE-së për vendin tonë në stadin aktual të integrimit, por dhe në fazat e mëtejshme që pritet të jemi pjesë. Fondi i veçantë, ai për Ballkanin Perëndimor, konsiston në bashkëpunimin rajonal mes vendeve për të zhvilluar projekte të përbashkëta dhe gjithëpërfshirjen e vendeve të Rajonit, madje edhe në nënshkrimin e marrëveshjes prej Kosovës dhe Serbisë, dhe ratifikimi prej 6 parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse. Fakti që nuk mbështetet nga donatorë të jashtëm, por vetëm nga qeveritë, nën drejtimin e ministrive të jashtme të vendeve, dhe që është ndër iniciativat e para të bashkëpunimit rajonal mbetet një tipar tjetër karakteristik e këtij fondi. Fushat e bashkëpunimit që mbulon kjo nismë janë bashkëpunimi kulturor, arsimi dhe kërkimi shkencor, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe çështjet ndërsektorale mbi gjininë, kufijtë dhe bashkëpunimin rinor. Tre janë aspektet kryesore në të cilat projektet zhvillohen: Ndërlidhshmëria, kryesisht në fushën e transportit dhe energjisë, Lehtësimi i tregtisë dhe Lëvizshmëria. Me mbylljen e thirrjeve të para të projekteve në dhjetor 2017, WBF pati 361 aplikime me krijimin e 1 291 partneriteteve, me një vlerë totale të projekteve prej 3.1 milion €. Në fund të fjalimit të tij, z. Murra ndau disa këshilla për sukses gjatë mbledhjes së fondeve nga BE, siç mund të jenë aftësia për të justifikuar kërkesën për grante, bindja e institucioneve të BE-së për aftësitë e mirëmenaxhimit të fondeve, mbështetje e plotë të organizatave, përfshirja e sa më shumë partnerëve, të qenurit të durueshëm gjatë procesit të aplikimit dhe përputhjen e qëllimit të projektit me strategjitë që kërkon BE.
Geron Kamberi, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) foli mbi një nga instrumentet më të rëndësishme financiare si Horizon 2014 – 2020, ku AKKSHI luan dhe rolin e koordinatorit. Ky program me fokus Inovacionin dhe Kërkimin Shkencor ka nisur në vitin 1980, është programi më i madh që ka vënë në dispozicion BE-ja, me një vlerë financimi prej 80 miliard eurosh. Shqipëria, e cila merr pjesë që prej vitit 2007, konkurron me 3 500 institucione arsimi dhe kërkimi zhvillimi. Programi Horizon mbështetet në 3 shtylla, që janë: Individi (shkencëtarët), bizneset dhe institucionet, me parimin Rritja Inteligjente e “Europe 2020”. Aktualisht me hapjen e raundit të dytë të programit, për periudhën 2018 – 2020, fokus është ngritja e kapaciteteve të informimit dhe promovimit.
Znj. Fjorela Vata, pjesëmarrëse e AIEN dhe Menaxhere e Zyrës së Financave dhe Projektit të implementuar nga GIZ, ishte folësja e fundit e këtij paneli e cila diskutoi rreth pikave kryesore të projektit “IPARD LIKE”, një formë me e lehtësuar e projektit IPARD. Këto pika përfshinin marrëveshjen me BE-në dhe GIZ-in në Shqipëri, me një fond prej 10 milion €, dhe kontrata dypalëshe e një projekti pilot me 3.9 milion €, i bashkëfinancuar nga qeveria Gjermane, BE-ja dhe qeveria Shqiptare, në skemën e granteve për sektorin bujqësor në Shqipëri. Një pikë tjetër kryesore në të cilën u ndal znj. Vata ishte dhe ndërtimi i kapaciteteve të personave të punësuar në strukturat operacionale dhe menaxherale të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë, Agjencisë së Pagesave dhe të Autoritetit Auditues.