Moduli VII: “Shqetësimet Mjedisore dhe Standardet e BE-së”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN) u zhvillua në datat 10-11 nëntor 2017, Moduli VII: Shqetësimet Mjedisore dhe Standardet e BE-së, ku më shumë se 35 pjesëmarrës u informuan për situatën mjedisore në Shqipëri me fokus konkret legjislacionin e Mjedisit, institucionet përkatëse ashtu edhe acquis e BE dhe direktivat kryesore europiane.

Gjatë Sesionit 1, Av. Holta Ymeri njëkohësisht Koordinatore Akademike e AIEN dhe eksperte ligjore për mjedisin, nëpërmjet rasteve konkrete të ndodhura në Shqipëri vitet e fundit ofroi një pasqyrë të plotë të kuadrit ligjor mjedisor shqiptar. Ligji i parë mbi Mjedisin është ligji Nr. 5105 i vitit 1973, dhe që atëherë shumë përditësime dhe plotësime i janë bëtë këtij legjislacioni. Sot mjedisi mbrohet nga ndotja në Shqipëri më anë të ligjit të vitit 2011 “mbi Mbrojtjen e Mjedisit”, ligjit për Lejet e mjedisit dhe VKM-të përkatëse mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor. Për Av. Ymeri përveç të ashtuquajturit ligj kuadër ekziston dhe ai sektorial i fokusuar në pjesë të posaçme të mjedisit dhe rregullon çështje si ajri, toka, uji, mineralet, mbetjet apo prodhimet OMGJ, duke theksuar se shumica e tyre janë të plotë e të përafruar me acquis e BE, po ka dhe raste të tjera si ligji mbi hidrokarburet që është mjaft i vjetër dhe nuk plotëson standardet. Ajo më pas u ndal të shkeljet e ligjit mjedisor dhe masat që ndërmerren dhe që janë parashikuar dhe në Kodin Penal, ku disa prej këtyre akteve mungojnë dhe nuk ndiqen penalisht si rasti i mbetjeve, ndotjeve industriale apo ndotja e tokës. Ajo vuri me dije se projekt-ligji për miratimin e legjislacionit penal nuk u realizua duke mos sjellë progresin dhe ndryshimin që duhej. Megjithatë problem kryesor nuk është mungesa e legjislacionit por zbatimi i tij, pasi ka mangësi të mëdha në kapacitetet zbatuese të agjencive të kontrollit; mangësi ne monitorime; në kapacitete teknike për kontroll paraprak gjatë procesit të lëshimit të lejeve mjedisore etj. Si përfundim ajo tërhoqi vëmendjen se në fazën e hapjes së negociatave do të analizohet jo thjesht përafrimi i legjislacionit por zbatimi real i tij, ndaj Shqipëria duhet të fillojë ndërmarrjen e masave konkrete sa më shpejtë.

Sesionin 2, Zamira Xhaferri, kandidate e PHD në Universitetin e Maastrichtit analizoi dhe pasqyroi procesin e krijimit dhe zhvillimit të mëtejshëm deri në ditët e sotme të legjislacionit mbi OMGJ (Organizmat Gjenetikisht të Modifikuara) në Bashkimin Europian. Interesant është fakti që në fillim vendet anëtare të BE-së e kanë kundërshtuar autorizimin e përdorimit të OMGJ-ve në Union dhe kjo ka vazhduar deri në 2004. Sot ka një legjislacion specifik të BE-së mbi këtë fushë si Direktiva 90/220 që trajton lejimin e OMGJ-ve, ndërkohë që shteti anëtar merr masa për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurisë së popullatës. Por BE duket që u ka dhënë mundësi shteteve anëtare të dalin nga harmonizimi i procedurës së OMGJ në rast kur ato duan të vendosin masa më të rrepta, parashikuar nga neni 114(5) i TFBE. Në lidhje me ndikimin e OMGJ-ve në mjedis, Xhaferri vuri në dukje se Direktiva 2004/35/EC mbi Përgjegjësinë Mjedisore, nuk ka një specifikim mbi dëmtimin mjedisor që mund të rrjedhë nga OMGJ, por përsëri është e lidhur pasi ajo ka në fokus dëmtimin e mjedisit dhe përgjegjësitë që shtetet anëtare dhe autoritetet e tjera duhet të mbajnë për ta mbrojtur atë nga çdo rast.

Sesioni 3 dhe 4 u zhvillua nga Dr. Josephine van Zaben, nga Worcester College e cila gjatë sesionit të parë prezantoi Ligjin Mjedisor të BE-së, zhvillimin e tij në kohë, qëllimet dhe parimet ku mbështetet. Kështu sipas van Zaben, hera e parë që kompetenca mjedisore është përfshirë në kompetencën legjislative të BE-së, është në vitin 1987 me anë të Aktit të Vetëm Europian. Kjo kompetencë futet në listën e kompetencave që BE i bashkë-ndan me vendet anëtare, sipas Artikullit 4 të TFBE. Objektivat ku sot mbështeten politikat mjedisore janë: cilësia e mjedisit; mbrojtja e shëndetit njerëzor; shfrytëzimi i kujdesshëm i burimeve natyrore si dhe masat në nivel ndërkombëtar dhe botëror, me fokus të veçantë ndryshimet klimatike. Sa i përket ndryshimeve klimatike duket se Europa e ka rol të saj të veçantë të shihet si një lider i blertë, dhe kur rreth 92% e qytetarëve europianë e vlerësojnë atë si një problem serioz. Ky rol i BE-së në lidhje më kompetencat mjedisore të jashtme përcaktohen dhe nga Neni 3(5); 21(2) i TBE: “Unioni duhet të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të tokës”. Gjatë Sesionit të 4, analiza u fokusua më së shumti në procedurën e kompetencës legjislative dhe si miratohen direktivat mjedisore. BE me anë të Direktivës 204/35 EC i ka njësuar politikat e saj mjedisore me Konventën më të rëndësishme Mjedisore Ndërkombëtare, Konventën e Aarhusit. Kjo Direktivë nga ana tjetër bazohet në parimin: ndotësi paguan dhe parashikon 3 dëmtime mjedisore: dëmtim i llojeve dhe habitateve të mbrojtura; ndotje e ujërave dhe e tokës.

Sesionin 5, Av. Holta Ymeri bëri një prezantim të Konventës së Aarhusit duke u ndalur në tre raste të aksesit në drejtësi për çështjet mjedisore të parashikuara nga kjo Konventë dhe sa zbatim gjen ajo në Shqipëri, si një nga vendet nënshkruese të saj: 1)Akses në e marrje e informacionit mjedisor 2) Akses në pjesëmarrje në vendimmarrje; 3) Aksesi në legjislacionin mjedisor. Legjislacioni shqiptar ofron mundësinë për marrje informacioni me anë të Ligjit Nr. 10 431 “Për mbrojtjen e mjedisit” në nenet 13, 46 dhe 47, si dhe me anë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Ankimimi për shkeljen e kësaj të drejte parashikohet si fillim me anë të një ankimimi administrativ e më pas mund të ngrihet padi gjyqësore. Sa i përket shkeljes së të Drejtës për Pjesëmarrje parashikohet ankimi në rrugë administrative, por nuk parashikohet padi gjyqësore specifike. Në lidhje më shtyllën e tretë, shkelje e legjislacionit mjedisor, Ligji Nr. 10 431 “për Mbrojtjen e Mjedisit” përcakton në nenin 48 të drejtën e publikut për të ngritur padi gjyqësore në dy raste: Në rast të kërcënimit, ndotjes apo dëmtimit të mjedisit, me anë të së cilës t’i kërkojë autoriteteve publike marrjen e masave, ose padi gjyqësore kundër personit fizik e juridik kur këta sjellin dëme në mjedis. Av. Holta Ymeri, nga ana tjetër përmendi dhe instrumente të tjera ndërkombëtare që mundësojnë të drejtën e njeriut për një mjedis të pastër, siç është Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, ku neni 2 i saj për të drejtën për jetën, përcakton se shteti ka detyrë të marrë të gjitha masat për të parandaluar humbjen dhe dëmtimin e jetës së qytetarëve, si dhe neni 8, për jetë familjare dhe private ku shteti duhet të ndërhyjë në atë masë për ta mbrojtur atë.

Gjatë Sesionit 6, Av. Florian Xhafa, Koordinator Akademik i AIENu fokusua më së shumti mbi procesin e negociatave mbi kapitullin 27 të Mjedisit, duke marrë si shembull konkret Kroacinë dhe duke parashikuar si do të jetë ky proces për Shqipërinë. Sipas Av. Xhafa, në Marrëveshjen e Pranimit ka tre klauzola sigurie : 1) klauzola për ekonominë; 2) klauzola për tregun e brendshëm dhe 3) ajo për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme. Prej këtyre klauzolave mund të ndërmerren masa parandaluese për një periudhë deri 3- vite pas futjes në BE. Sa i përket Mjedisit vendeve anëtare u është akorduar një periudhë 2 vjeçare tranzitore për Direktivën e Mbrojtjes së Mjedisit me anë të ligjit penal (2008/99 KE) i cili përcakton ato shkelje dhe dëmtime të mjedisit që mund të konsiderohen si vepra penale. Duke e krahasuar këtë direktivë më Kodin aktual Penal shqiptar, Av. Xhafa vuri në dukje mangësitë që kodi ynë ka dhe boshllëqet që duhen plotësuar. Ai duke marrë si rast hipotetik hapjen e bisedimeve për anëtarësim pasqyroi të gjithë procesin në Shqipëri, duke filluar me atë që njihet si ‘screening’ ku nuk vlerësohet dhe monitorohet vetëm harmonizimi i legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, por edhe kapacitetet infrastrukturore, burimet njerëzore dhe ato financiare. Gjatë këtij sesioni erdhën dhe shumë pyetje e diskutime në lidhje me masat konkrete dhe hapat që duhet të ndërmarrë Shteti shqiptar në lidhje me kapitullin 27 – Mjedisi, në mënyrë q të jemi të përgatitur dhe çfarë mund të mësojmë nga vende të tjera.