Moduli VI: “Migrimi dhe Politikat e Vizave – Kapitulli 24”

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 3-4 nëntor 2017 u zhvillua Moduli VI: “Migrimi dhe Politikat e Vizave”, me fokus Kapitullin 24 të procesit të negociatave BE-Shqipëri, mbi Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë.

Sesioni i parë i këtij moduli nisi me një hyrje të përgjithshme mbi Politikat e Migracionit në BE dhe Shqipëri prezantuar nga Drejtori Ekzekutiv i EMA, Gledis Gjipali dhe Hulumtuesja e Politikave pranë EMA-s, Nirvana Deliu. Ndërkohë që z. Gjipali bëri një pasqyrim të procesit të zhvillimit të Fushës së Drejtësisë dhe çështjeve të brendshme të BE-së, krijimit të zonës Schengen dhe procesit të liberalizimit të vizave me vendet e treta të BE-së, përfshirë dhe Shqipërinë. Më pas ai sqaroi në detaje këtë proces dhe masat e reja që BE po ndërmerr siç është ETIAS apo Mekanizmi i Pezullimit të Liberalizimit të vizave, në kuadër të krizës së refugjatëve, rritjes së rrezikut nga terrorizmi dhe akteve të tjera kriminale. Nirvana nga ana tjetër sqaroi më specifikisht kontekstin ligjor dhe institucional të Shqipërisë në lidhje me politikat e migracionit dhe azilit, duke u ndalur më shumë dhe në problematikat e hasura në zbatimin e kuadrit ligjor në vend. Diskutimi më pas u fokusua si në rrezikun e Shqipërisë për tu prekur nga masat e ndërmarra nga BE si një vend i tretë ashtu dhe në politikat që duhen ndjekur për të bërë të mundur progresin në këtë fushë.

Sesioni i dytë u trajtua nga zv. Ministrja e Punëve të Brendshme në Shqipëri, znj. Rovena Voda, e cila zhvilloi një diskutim të hapur më pjesëmarrësit të cilët kishin interes të lartë sa i përket situatës së refugjatëve në Shqipëri por dhe numrin e shqiptarëve të kthyer nga vendet e BE-së. Sipas saj Shqipëria pikë së pari është vend origjine, por nuk duhet harruar që në shumë raste ajo përdoret si vend tranzit por edhe si vend pritës. Disa nga shqetësimet kryesore lidhen nëse është prekur Shqipëria nga kjo krizë që po merr gjithmonë e më shumë përmasa madhore si dhe mbi gjendjen aktuale të qendrave pritëse të refugjatëve. Theksin znj. Voda e vendosi në masat e ndërmarra për menaxhimin e kufijve duke përmendur edhe Sistemin TIMS, databazën për të dhënat e personave që futen në territorin e Shqipërisë dhe masat për të integruar regjistrin e të dhënave me një sistem kontrolli që identifikon ata individë të cilësuar të rrezikshëm. Znj. Voda foli me tej mbi politikat e vizave me BE-në, marrëveshjet e bashkëpunimit me vendet e tjera të Bashkimit Europian dhe gjithashtu me shtetet fqinje. Për këtë të fundit ajo nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë në PKK me vendet fqinje si me Greqinë në Kakavijë, Malin e Zi, Kosovën apo Maqedoninë. Në këtë aspekt herë pas here zhvillohen takime dypalëshe apo trajnime dhe bashkëpunime të tjera.

Sesioni i tretë mbi eksperiencën e Greqisë në lidhje me menaxhimin e krizës së refugjatëve, u trajtua nga Doc. Pranvera Tika, Hulumtuese pranë ELIAMEP në Greqi. Znj. Tika e nisi prezantimin e saj duke folur shkurtimisht mbi rrënjët politiko – historike të kësaj krize e cila nuk është një fenomen i ri për BE-në por është shndërruar në një emergjencë vetëm vitet e fundit. Ajo përmendi krizën qe pushtoi Europën në vitin 2015 gjatë së cilës u krijua një plan urgjent veprimi nga Mogherini, Axhenda e re Europiane mbi Sigurinë dhe Migrimin pasi pati një intensifikim të prurjeve migratore/azilkërkuese ku pika kryesore hyrëse në Europë ishte Greqia, si kufi i jashtëm i BE-së. Gjithsesi sipas saj edhe pse Greqia dhe Italia ishin vendet hyrëse, vendet e preferuara nga emigrantët ishin Gjermania, Suedia dhe vendet e ulëta ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor u përdorën si vende kalimi. Tre veprimet e menjëhershme që ndërmori BE ndaj kësaj krize ishin: 1) shpërndarja e azilkërkuesve përmes skemave të zhvendosjes, 2) përmirësimi i bashkëpunimit me vendet pritëse dhe 3) trajtimi i shkaqeve kryesore të migrimit të forcuar. Znj. Tika foli në veçanti mbi rastin e Greqisë, menaxhimit të krizës së refugjatëve, përpara dhe gjatë vitit 2015, si dhe për gjendjen aktuale duke sugjeruar një Europë më bashkëpunuese në marrjen e vendimeve që do ndikojnë në përmirësimin e krizës së refugjatëve. Viti 2015 është viti me më shumë prurje në Greqi, ku u llogarit që numri i të ardhurve për periudhën Janar-Gusht 2015 ishte 850% më i lartë se e njëjta periudhë në vitin 2014. Sot Greqia ka 60 mijë persona, ku pothuaj nuk ofrohen fare shërbimet socio-ekonomike , ka një ndarje të theksuar të refugjatëve nga pjesa tjetër e shoqërisë në Greqi dhe nuk u kushtohet rëndësi procesit të integrimit të tyre, dhe një pjesë e konsiderueshme sot jetojnë në tenta pasi kapacitetet pritëse të shtetit grek i kanë kapërcyer limitet. Sipas znj. Tika, qasja europiane dhe e shtetit grek në veçanti duhet të jetë që refugjatët nuk janë një barrë dhe shtetet janë të detyruar të ndajnë këtë barrë, por në radhë të parë nuk duhet lënë në harresë fakti i respektimit të te drejtave të njeriut dhe ofrimit të kushteve minimale të jetesës parashikuar dhe në legjislacionin europian dhe konventat ndërkombëtare.

sesionin e katërt, z. Vladimir Petronijević drejtori ekzekutiv i organizatës Grupa 484 në Serbi, një nga organizatat më të mëdha në këtë vend me fokus çështjet e migrimit dhe Kapitullit 24, foli mbi krizën e refugjatëve që përfshiu Serbinë në vitin 2015 dhe si u menaxhua kjo krizë nga ana e shtetit Serb. Grupa 484 njihet për rolin e saj në mbështetje dhe suport të refugjatëve dhe emigrantëve, ku një nga nismat e saj është dhe blerja e ushqimit dhe artikujve të tjerë të rëndësishëm për refugjatët në ato dyqane dhe biznese që ishin shprehur në fillim kundër tyre. Sipas z. Petronijevic, këto blerje kanë ndikuar që shumë prej pronarëve të marketeve të shikojnë refugjatët me sy të mirë dhe t’i vlerësojnë pozitivisht ata. z. Petrojinević paraqiti statistika për sa i përket Western Balkan Route veçanërisht gjatë viteve 2015 ku Serbia u cilësua më shumë si vend tranzit me pak azilkërkues. Serbia sot ka 17 qendra pritëse dhe një qendër të re që po ndërtohet dhe mund të akomodoj në total jo më shumë se 4000-5000 persona. Momentalisht në Serbi janë prezentë 4 250 migrantë, ku janë akomoduar në qendrat përkatëse 3900 prej tyre. Ai nxori në pah dhe problemin e kufirit me Hungarinë, vend ky aspak miqësor me refugjatët pasi ka ndërtuar dhe një mur. Karakteristike e këtij muri është dhe fakti që ai nuk është ndërtuar në kufirin me Serbinë por brenda territorit hungarez pak metra nga kufiri. Çka nënkupton që dhe pse personat mund të futen në territorin hungarez ata përballen me këtë mur dhe policët kufitar hungarez duke u detyruar të kthehen sërish në Serbi. Nuk mbeti pa u përmendur dhe një problematikë madhore si keqtrajtimi dhunimi i tyre nga ana e policisë serb, ku numërohen rreth 20 mijë të kthyer dhe fenomeni i fëmijëve të humbur apo të trafikuar.

Sesioni i pestë dhe i fundit u trajtua përsëri nga Vladimir Petronijević, i cili foli mbi eksperiencën e negociatave të Serbisë në lidhje me Kapitullin 24 duke përmendur fazat përbërëse për shqyrtimin e këtij kapitulli dhe disa të dhëna që u morën nga raporti përfundimtar mbi migrimin e parregullt dhe gjendjes së qendrave të azilit.