
Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, ditën e premte dhe të shtunë, në datat 6 dhe 7 tetor u zhvillua Moduli V: “Promovimi i të drejtave të njeriut në kuadër të Integrimit Europian”.
Temat kryesore të trajtuara në këtë modul kishin të bënin me rëndësinë e të drejtave themelore të njeriut ,zbatimi i Konventës të së Drejtave Themelore në lidhje me minoritetet ,aplikimi i Kartës Europiane në shtetet anëtare të BE dhe së fundmi tema e të drejtave të pronësisë.
Sesioni i parë u drejtua nga Dr. Fjoralba Caka e cila foli mbi përmbajtjen e Kapitullit 23 për drejtësinë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe u ndal tek çështja e negocimit dhe vendosjes së kritereve për hapjen dhe mbylljen e negociatave. Procedura e hapjes së kapitujve të negocimit përmbante disa etapa të cilat ishin si më poshtë:
- Takimi shpjegues dhe ai bilateral.
- Përgatitja e raportit për shqyrtimin analitik të legjislacionit (screening)nga KE.
- Më pas Këshilli i BE miraton raportin për hapjen e kapitullit dhe fton shtetin kandidat të paraqesë pozicionin për negociata.
- Pasi shteti kandidat paraqet pozicionin negociues.
- KE harton Pocizionin e Përbashkët të BE mbi bazën e këtij Pozicioni Negociues.
- Më pas Këshilli i BE miraton Pozicionin Negociues dhe mbledh konferencën ndërqeveritare.
- Në etapat e fundit kapitulli hapet dhe mbyllet përkohësisht në një konferencë ndërqeveritare.
Më pas Dr. Caka përmendi dhe disa raste të tjera nga kapitulli 23 dhe më konkretisht mori si shembull rastin e Serbisë(2013-2014). Në fund të sesionit Znj.Caka përmendi dhe fazat e mbrojtjes të së drejtave të njeriut dhe listoi klauzolat që përmban karta e BE-së për të drejtat themelore.
Sesioni i dytë u drejtua nga Prof. Dr. Evis Alimehmeti e cila aktualisht është përgjegjëse e Departamentit të së Drejtës Publike në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe që nga viti 2002 është pedagoge e Etikës Profesionale në Shkollën e Magjistraturës. Gjithashtu është autore e disa punimeve shkencore, manualeve dhe shkrimeve të tjera të publikuara brenda dhe jashtë vendit. Ajo përmendi faktorët e ndryshëm që çojnë në vështirësinë e arritjes së një përkufizimi për termin minoritet. Për të pasur një ide më të qartë ajo u ndal në mënyrë specifike tek rasti i Sejdic dhe Finc kundër Bosnje-Herzegovinnës në 2009 dhe tek rasti i Gorzelik kundër Polonisë në vitin 2004. Prof. Alimehmeti foli gjithashtu për Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve dhe i kushtoi rëndësi nenit 21 kundër diskriminimit në të cilin thuhet se: “Ndalohet çdo lloj diskriminimi për shkaqe të tilla siç janë gjinia, raca, ngjyra, origjina etnike apo sociale, tiparet gjenetike, gjuha, feja apo besimi, mendimet politike apo të llojeve të tjera, përkatësia në një pakicë kombëtare, prona, lindja, aftësia e kufizuar, mosha apo orientimi seksual”.
Në përfundim të sesionit pyetjet dhe diskutimet e pjesëmarrësve u përqendruan tek projektligji i ri për pakicat kombëtare i cili pritej të miratohej në ditët në vijim.
Në sesionin e tretë dhe të katërt që u zhvillua në ditën e dytë të modulit V, Dr. Darinka Piqani lektore dhe kërkuese shkencore në fushën e të drejtës kushtetuese europiane në Universitetin e Leiden-it trajtoi çështjen e Kartës Europiane mbi të Drejtat Themelore dhe aplikimin e saj në shtetet anëtare. Në mënyrë më specifike ajo foli mbi pozicionin e kartës në të drejtën europiane dhe rolin e kësaj karte sipas jurisprudencës së GJED. Më pas ngriti pyetjen nëse të drejtat e njeriut janë burim konflikti mes të drejtës së BE dhe të drejtës kushtetuese duke u ndalur më pas tek rasti Melloni. Gjithashtu listoi dhe rastet se kur aplikohet kjo kartë dhe problematikat që lidhen me të drejtën e brendshme kushtetuese.
Sesioni i pestë u trajtua nga Prof. Dr. Nada Dollani pedagoge e së Drejtës Civile në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. , Ajo është gjithashtu anëtare e bordit redaktues të Gazetës Juridike të Europës Juglindore dhe anëtare e Këshillit të Institutit Europian të Drejtësisë. Prof. Dollani u ndal gjerësisht tek kuptimi i pronësisë sipas Nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ duke marrë rastin e njohur të Manushaqe Putos në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronës. Më pas u ndal tek klasifikimi i të drejtave të pronës sipas GJEDNJ duke përmendur dhe kufizimet e këtyre të drejtave. Në fund u ndal tek sfera e përgjegjshmërisë së shteteve të pronësisë dhe aplikimi horizontal i të drejtave të njeriut.
Sesioni i gjashtë dhe i fundit konsistoi në ndarjen në grupe të pjesëmarrësve për të diskutuar mbi një çështje konkrete për sa i përket kompensimit të pronave, përsëri i drejtuar nga Prof. Dr. Nada Dollani.