Në datë 9 dhe 10 shtator u zhvillua në Shkodër workshop-i me titull: “Stili ynë i përditshëm i jetesës dhe kontributi që ka në ndryshimet klimaterike”, me pjesëmarrës nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria. Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërgjegjësimi i të rinjve për çështjet e ndryshimeve klimaterike dhe qëndrueshmërisë” mbështetur financiarisht nga Western Balkan Founds (WBF). Synimi i këtij aktiviteti ishte të krijonte mundësinë që të rinjtë të diskutojnë dhe tërheqin vëmëndjen drejt një teme të rëndësishme si ndryshimi klimaterik.
25 të rinj nga 15 deri në 29 vjeç ishin pjesë e këtij aktiviteti të organizuar nga AIEN në bashkëpunim me INDEP (Instituti për Politika Zhvillimore) dhe MSJA (Martin Schneider – Jacoby Association). Objektivi kryesor i këtij workshop-i ishte ofrimi i një platforme ku mund të shkëmbehen qëndrime, ide dhe të zgjerohen dijet rreth situatës në rajon (Mal i Zi – Shqipëri – Kosovë) sa i përket menaxhimit të mjedisit, ndryshimeve klimaterike, dhe po ashtu si kontribuon mënyra jonë e jetesës në ndryshimet klimaterike. Këta të rinj patën mundësinë të shkëmbejnë informacione mbi sfidat dhe performancën e institucioneve shtetërore dhe strukturave rajonale, për sa i përket standardeve të BE-së në fushën e mjedisit.
Gjatë këtij workshop-i u shpallën edhe fituesit e konkursit “Ndërgjegjësimi i të rinjve për çështjet e ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmërisë” për esenë, foton, meme-n dhe videon më të mirë.